Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë sjellë probleme në Vlorë. Si pasojë e reshjeve është rritur niveli i Vjosës në kuotat mbi 6.3 m mbi nivelin e detit duke shkaktuar përmbytjen e një pjese të pazarit pranë urës së Mifolit.
Prefekti i qarkut Vlorë Flamur Mamaj në një prononcim për mediat dha detaje për situatën në këtë qark. Sipas tij situata në Vlorë është e qetë. Ai tha se do të mbajë situatën nën vazhgim. Mamaj theksoi se ndonëse ka ngritje të kuotave në Vjosë, Selenica nuk është përmbytur. Gjithashtu ai tha se sot do të mbahet edhe mbledhja e shtabit të emergjencave.
“Sot situata në Vlorë është e stabilizuar. Situata në Përmet dhe Memaliaj është e qetë. Situata edhe këtu në urën e Mifolit do të stabilizohet të paktën për 12 orët e ardhshme. Do ta mbajmë situatën në vëzhgim dhe kushtet e motit do të përmirësohen.
Ndërprerjet e shiut të herë pas hershme na favorizon që të mos kemi situatë të rënduar. Por parashikime të sakta nuk mund të bëjmë. Ajo që ka parashikuar IGJEUM është për tu marrë në konsideratë dhe ne po punojmë. Sot kemi mbledhjen e shtabit të emergjencave ku do të përcaktojmë të gjitha detyrat, për të gjitha institucionet, me qëllim që të jemi të përgatitur. Do të përdoren të gjitha protokollet në kohë.
Edhe niveli sot këtu në Vjosë është falë ndërhyrjeve të bërë nga qeveria. Nuk kemi përmbytje në Selenicë. Po të ishim në kuotën 6.6 siç jemi sot, para dy vitesh duhet të kishim përmbytje në Selenicë. Jemi në parametra shumë normalë, por kemi ngritje të kuotave në urën e Mifolit”, tha ai. g.v/abcnews.al