Prej dy ditësh, i gjithë vendi ndodhet nën pushtetin e ujit, me qindra shtëpi të përmbytura dhe familje të evakuuara, ndërsa krahas kësaj një problem kryesor mbetet edhe furnizimi me energji elektrike.
Drejtori i Menaxhimit të OSSH-së, Llambi Miti, deklaroi se si pasojë e kushteve të vështira atmosferike janë evidentuar disa avari në rrjetin elektrik. Ai theksoi se falë mobilizimit maksimal të grupeve në terren, numri i abonentëve pa energji u reduktua ndjeshëm brenda ditës. Miti shtoi se avaria më e madhe në nënstacionin e Kajanit u riparua dhe furnizimi me energji u rikthye me efikasitet të plotë.
“Dje në mëngjes nisëm me 22 linja në avari dhe, si pasojë e punës në terren, duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha dhe prezencën e shkarkimeve, disa prej të cilave ishin të rrezikshme, falë organizimit dhe punës arritëm që dje në darkë nga 29 827 abonentë pa energji të mbeteshin vetëm 4 441.
Për sot, e nisëm ditën me 17 linja në avari dhe aktualisht jemi me 5 filtra në avari, që prekin 3 555 abonentë. Avarinë më të madhe e kishim në nënstacionin e Kajanit, që furnizon Belshin, për shkak të dëmtimeve atmosferike.
Mobilizimi maksimal bëri të mundur që në orën 18:00 nënstacioni të vihej në punë me efikasitet të plotë.” / abcnews.al /


