Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash si edhe bllokim të qarkullimit të automjeteve, në zona të ndryshme të vendit.
Durrësi, Shkodra, Fieri, Elbasani, Gjirokastra… dhe jo vetëm janë qytetet të cilat janë prej orësh janë të përmbytura.
Periferitë e qytetit të Durrësit duket se janë ato më të rrezikuara nga përkeqësimi kushteve atmosferike.
Gazetari i “ABC” Leonidha Musaj raportoi se Emergjencat Civile në Durrës tashmë janë në terren, ndërsa disa familje janë evakuuar.
Po ashtu situata paraqitet problematike edhe në Vlorë, për shkak të kushteve të vështira të motit.
Gazetari i “ABC” Elton Nika tha se nuk ka ndryshim të situatës në zonën e Novoselës e cila është përmbytur që në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë niveli i Vjosës ka arritur 6.9 metra mbi nivelin e detit.
Autoritetet janë shprehur se situata është në monitorim dhe se nuk janë shfaqur problematika të mëdha.
Por prurjet e Lumit Vjosa duket se shkaktojnë edhe përmbytjet më të mëdha në këtë zonë.
Si pasojë e reshjeve të larta situata mbetet problematike edhe në Shkodër.
Ndërkohë aktualisht situata është më problematike në Dajç dhe anës Malit, ndërsa gjatë natës ka pasur rritje të nivelit të ujit nga shkarkimet në lumin Buna dhe Drin.
Gazetari i ABC , Simon Shkreli raportoi se sipas informacioneve paraprake drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako ka inspektuar hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Lumi Buna është problematik jo vetëm për territorin shqiptar, por edhe për atë në Mal të Zi, gjë që rrezikon edhe zonat atje.
E vështirë dhe jo pak shqetësuese raportohet situata në Elbasan, pasi ky qytet rrezikohet nga dalja e lumit Shkumbin nga shtrati.
Gazetari i “ABC” Aldo Kozarja tha se bashkia Belsh, Librazhd Elbasan ka prani të ujit kryesisht në toka bujqësore.
Në Rrugën Elbasan-Gramsh qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm në qarkullim për shkak se janë konstatuar rrëshqitje të dherave
Në Mollas, shkolla 9-vjeçare thuajse është drejt degradimit pasi ka dëmtime të theksuara. Një tjetër problem në Elbasan është edhe përroi i Zaranikës i cili përshkon dy lagje kryesore në këtë qytet, lagja “Vullnetari” dhe lagja “Dyli Haxhire”, duke i bërë këto më të rrezikuara.
Nga disa vëzhgime të kryera nga gazetari në terren, në këtë qytetet nuk është parë asnjë nga zyrtarët për të marrë masa për parandalimin e përmbytjeve.
/abcnews.al/