Përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, dëmet kapin vlerën e 8 milionë eurove

schedule15:53 - 21 Prill, 2021

schedule 15:53 - 21 Prill, 2021

Bashkia Shkodër ka përfunduar vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, si pasojë e prurjeve të larta dhe shkarkimeve në kaskadën e Drinit, në periudhën janar- shkurt 2021.

Siç njofton bashkia, pesë grupet e punës të ngritura për evidnetimin dhe më pas vlerësimin e dëmeve, kanë punuar për më se 8 javë në gjithë territorin e përmbytur.

Mbas përfundimit të vlerësimit të dëmeve për çdo subjekt dhe çdo familje, rezulton një sipërfaqe e dëmtuar me kultura bujqësore në një total prej 2518.4 ha, bazuar në 44 procesverbale të konstatimit të dëmeve në objekte private të dëmtuara (ndërtesa e pajisje të ndryshme) dhe në 11 procesverbale te vlerësimit të dëmeve në infrastrukturë publike.

Vlera e përllogaritur e këtyre dëmeve njoftohet se kap vlerën prej 801,661,519 lekë, rreth 8 milionë dollarë.

Pas kësaj faze relacioni, procesverbalet e vlerësimit dhe fatura financiare, do të paraqitet pranë Këshillit Bashkiak për miratimin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Ky vendim i dërgohet më pas Komitetit të Mbrojtjes Civile pranë Qeverisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!