Situata në qytetin e Vlorës është drejt normalizimit. Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe, si pasojë, edhe uji është tërhequr.
Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm dhe AKMC, dërgoi sot në qytetin e Vlorës 28 forca, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, 1 gomone dhe 5 mjete transporti. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu.
Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.
Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Verdha, u diskutua për evidentimin e zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimin e trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit, koordinimin dhe menaxhimin ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara, ndjekjen e situatës deri në normalizimin e plotë të saj, si dhe pastrimin e kanaleve të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve.
Nuk parashikohen reshje me intensitet të madh gjatë orëve në vijim, por Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të monitorojë situatën në terren për t’i ardhur në ndihmë Bashkisë së Vlorës.
“Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë në qarkun e Vlorës gjatë ditës së sotme, rreth orës 14:30 deri në 17:30 janë shfaqur problematika në Vlorë për shkak të këtyre reshjeve. Ka pasur prezencë uji në shtëpi banimi, biznese por gjithashtu edhe bllokim të rrugëve. Janë evakuuar 33 familje, të cilët janë sistemuar në objekte të disponuara nga bashkia Vlorë. Janë marrë masat për furnizimin e tyre me ushqim dhe ujë të pijshëm si dhe me veshje. Gjithashtu është mbledhur komisioni i mbrojtjes civile në prefekturën Vlorë, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i bashkisë Vlorë dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile Vlorë dhe është diskutuar për problemet e hasura nga shirat e rrëmbyeshëm. Janë marrë masat për furnizimin me energji elektrike të hidrovorëve, të cilët kanë qenë në punë gjatë gjithë kohës si edhe sistemi i pompimit që kanë bërë të mundur që të largohet uji. Aktualisht situata është e normalizuar dhe nën kontroll por po punohet me të gjitha kapacitetet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile të qarkut Vlorë të mbështetura nga forcat e armatosura me kamionë të kalueshmërisë së lartë dhe motor pompa për të bërë të mundur largimin e ujit në disa zona ku ka akoma prezencë uji.”, deklaroi drejtori i Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente Leonard Qyra.
/abcnews.al