Përmbytjet, asnjë plan për të dëmshpërblyer fermerët në Lezhë

schedule14:19 - 24 Janar, 2021

schedule 14:19 - 24 Janar, 2021

Shirat e javëve të fundit në shumë zona të Qarkut të Lezhës kanë përmbytur të mbjellat e fermerëve. Fushat e Zadrimës, Torovicës, Spitenit dhe Gjormit janë më të dëmtuarat.

Mbi sipërfaqen e tokave bujqësore uji ka qëndruar gati 10 ditë. Sipas fermerëve një periudhë kaq e gjatë e kulturave bujqësore nën ujë i ka kalbur ato.

“Në zonën e Blinishtit janë bërë shumë dëme. Kishte vite që zona nuk ishte në këtë gjendje. Të gjitha janë përmbytur”, thotë ajo

Një tjetër fermer thotë se përmbytjen ndodhin shpesh.

“Përmbytjet janë të shpeshta. Kanalet janë të bllokuara dhe nuk kanë bërë thellime që shmangen situata të tilla, por vetëm kanë bërë sikur i kanë pastruar”, shprehet ai.

Fermerët nuk janë dëmshpërblehen as pas përmbytjeve të tjera, por shpresën nuk e kanë humbur.

“Ne nuk fitojmë asgjë, jemi të humbur. Presim vetëm nga shteti të na ndihmojë”, thotë një tjetër fermer.

Veç dëmeve në bujqësi është prekur dhe blegtoria. Nuk janë regjistruar ngordhje të  kafshëve apo shpendëve, por ka dëmtim të bazës ushqimore. Kjo është një tjetër kosto për ta në një kohë që mungon mbështetja.

Në raportin e dërguar në Ministrinë e Bujqësisë, nga drejtoria e Bujqësisë në Qarkun e Lezhës është raportuar për dëme në të mbjellat me grurë e jonxhë, por nuk ka përllogaritur dëmet në terren apo të kenë kërkuar kompensim.

Sipas kësaj drejtorie janë rreth 600 hektarë tokë, që vazhdojnë të jenë nën ujë rreth 480 hektar me grurë dhe 120 me jonxhë.

Vetë Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës sqaron se ky institucion nuk ka asnjë mundësi të mbështesë e fermerët dhe dëmshpërblimin mund ta kryejë vetëm Ministria e Bujqësisë.

/abcnews.al/