Bosnjë dhe Hercegovina është përfshirë nga moti i keq dhe për pasojë 16 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetë të tjerë raportohen të zhdukur.
Me tërheqjen e një pjese të ujit dhe të shtresës së parë të materialit të grumbulluar, baltës dhe gurëve, mëngjesin e së shtunës dolën përmasat e fatkeqësisë që preku Jabllanicën e Poshtme, një prej zonave më të prekur nga përmbytjet në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gazetari Azem Kurtiç, në lidhje të drejtpërdrejtë me “Faqja 4” në ABC News tha se zonat më të prekura janë në jug të Sarajevës dhe në Bosnjën Qendrore.
“Zonat më të prekura janë në jug të Sarajevës dhe në Bosnjës qendrore. Kemi pasur reshje dhe në Sarajevë, zona më e prekur është Jabllanica siç e përmenda. Ka pasur mungesë të komunikimit”, tha ai.
Ai shtoi se shtete të tjera janë treguar të gatshme për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve në Bosnjë dhe Hercegovinë, në përpjekje për ta rikthyer sa më parë normalitetin në zonat e prekura.
Sipas gazetarit, strukturat shtetërore janë disi të heshtura, pavarësisht se nevoja për ndërhyrje është më emergjente se kurrë.
Përkundër kësaj, Kurtiç shtoi se shumë qytetarë kanë ndërmarrë nisma humanitare për të strehuar ato familje, të cilat kanë humbur gjithçka si pasojë e vërshimeve katastrofike.
“Ka pasur shumë ndihmë edhe nga shtete e tjera, por edhe banorët ka pasur nisma për të strehuar qytetarët. Institucionet janë në heshtje. Ndihma të pakta për familjet e prekura. Dhjetë persona janë raportuar të zhdukur”, tha ai./ abcnews.al