Përmbyset rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, Nisma hyn në Kuvend

schedule17:32 - 11 Nëntor, 2019

schedule 17:32 - 11 Nëntor, 2019

Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa, në Kosovë, PZAP, vendosi heqjen e votave të ardhura nga Serbia nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe rinumërimin e pothuaj gjysmës së vendvotimeve.

Ky vendim, nëse mbetet kështu, pa u ndryshuar nga Gjykata Supreme, i heq Vetëvendosjes 3 deputetë dhe partive të tjera që u renditën pas saj, nga një deputet. Ndërkohë Nisma hyn në Kuvend me 6 deputetë.

Sakaq, Nisma Socialdemokrate përshendeti këtë vendimin të PZAP-së në Kosovë për të hequr votat e ardhura nga Serbia nga rezultati përfundimtar. Kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, tha në një konferencë shtypi se vendimi i PZAP-it ka treguar që në Kosovë ka institucione që respektojnë ligjin.

“Sot Kosova nga vendimi i PZAP-it për të anuluar ato kuti kontrabande të ardhura nga serbia, është më e sigurt, është ligjore. Është një Kosovë që ka institucione të cilat e mbrojnë ligjin. Besoj që të gjithë sot ne jemi shumë më të sigurt dhe kemi më tepër motiv në respektimin e ligjit. Kjo për shkaks e vendimi i PZAP-it ka treguar që në Kosovë ka institucione që respektojnë ligjin, institucione të cilat mbrojnë barazinë e qytetarit të Kosovës.”, tha Limaj.

Limaj tha gjithashtu se KQZ ka shpallur rezultate më herët rezultate të parregullta dhe shtoi se që nga sot, Nisma është parti parlamentare me 6 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i PZAP, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u komentua edhe nga Lista Serbe, e cila tha se ky vendim është i motivuar politikisht dhe nuk ka asnjë bazë ligjore.

Lista serbe tha gjithashtu se edhe pa ato vota, Lista Serbe ka 10 mandate në Kuvend bazuar në vullnetin e shprehur në mënyrë demokratike.

Ndërkohë PZAP vendosi edhe rinumërimin e pothuaj gjysmës së vend-votimeve. Analistët kanë thënë për mediat në Kosovë se vendimet e somte të PZAP-së, nëse mbesin siç janë pa u ndryshuar nga Gjykata Supreme, do të ndryshojnë numrin e deputetëve që kanë fituar partitë politike. Njohësi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi i tha medias në Kosovë se koalicioni NISMA-AKR-PD do të përfaqësojet në Kuvend me 6 deputetë, ndërkohë që Vetëvendosje do të ketë 3 deputetë më pak, LDK 1 deputet më pak, PDK 1 deputet më pak dhe koalicioni AAK-PSD 1 deputet më pak.

Megjithatë të gjithë do të duhet të presin për vendimin e Gjykatës Supreme, pasi subjektet kanë të drejtë ankese./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!