Përkujtohet 6-vjetori i vdekjes së kapiten Feti Voglit

schedule16:58 - 20 Shkurt, 2018

schedule 16:58 - 20 Shkurt, 2018

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përkujtoi 6-vjetorin e vdekjes së kapiten Feti Vogli në Afganistan. Kreu i Mbrojtjes theksoi ndër të tjera se prania e Shqipërisë në Aleancën e NATO-s, tregon vlera për shoqëritë partnere, ku vendi ynë bën pjesë.

Vepra e të rënëve nuk harrohet, kështu u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në ceremoninë përkujtimore të 6-vjetorit të kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën në Afganistan.

Olta Xhaçka: “Nga Afganistani në Irak, nga Çadi në Bosnje, nga Kosova në Mali, nga Adriatiku në Egje dhe kudo që na kërkohet, shembulli i Feti Voglit na mëson se detyra dhe përkushtimi për sigurinë e paqen, i bën ushtarakët tanë të marrin mbi vete rrezikun e sfidave të përditshme, veçanërisht në misione. Rënia në krye të detyrës e kapiten Feti Voglit, është dëshmi e faktit, se ju, jo vetëm keni zgjedhur një profesion të vështirë, por edhe se kurajo, përkushtimi, vetëmohimi dhe mbi të gjitha, profesionalizmi juaj, janë tiparet që përshkojnë integritetin tuaj si bij fisnikë të popullit, si shërbëtorë besnikë të atdheut”.

Sipas ministres Xhaçka, prania e Shqipërisë në Aleancën e NATO-s, tregon vlera për shoqëritë partnere ku vendi ynë bën pjesë.

Olta Xhaçka: “Ne si shqiptarë, këndej dhe andej kufirit, nuk harrojmë për asnjë moment, se NATO është mburoja më e besueshme përballë çdo agresioni dhe barbarie që shfaqet pranë dhe larg vendndodhjes sonë gjeografike. Çmimi sublim i Kapiten Feti Voglit na tregon se forcat që na kërcënojnë vlerat, parimet dhe mënyrën tonë të të jetuarit në një sistem demokratik dhe shoqëri të lirive dhe të drejtave të njeriut, janë akoma aty, duke e sfiduar çdo ditë mjedisin e sigurisë sonë kolektive”.

Kapiten Feti Vogli, humbi jetën në Afganistan, ku shërbeu si pjesë e kontigjentit paqeruajtës “Eagle 4” të batalionit të Forcave Speciale./abcnews.al