Përkthyesja Etleva Pushi: Ja si të gjeni punë online, pa rënë pre e mashtrimeve!

schedule19:28 - 17 Nëntor, 2020

schedule 19:28 - 17 Nëntor, 2020

Nga Enkeleda Bodini

Jetojmë në kohë pandemie, e cila nuk na jep asnjë siguri për të ardhmen, sesi do të jetë ajo. Shumë biznese kanë falimentuar dhe shumë njerëz kanë mbetur pa punë. Për këtë arsye duhet të shohim mundësi nga më të ndryshmet, për t’u punësuar. Kohët e fundit, jo vetëm për shkak të Covid-19, tregu online është bërë një nga mundësitë më të mira për punë, për të rinjtë. Por, pyetja është sesi mund të gjejmë punë online, kush mund të punojë online dhe si të mos biem pre e mashtrimeve?

Në një intervistë për abcnews.al, të gjithë këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje, përkthyesja Elteva Pushi.

Etleva është një nga përkthyeset më të njohura në Shqipëri, e cila përkthen takime të rëndësishme zyrtare dhe puna online është pjesë e pandarë e jetës së saj.

Ajo u shpreh se, në këtë kohë pandemie, puna online vlen të konsiderohet si një mundësi shumë e mirë dhe kushtet bazë janë dy; gjuha e huaj (kryesisht anglishtja) dhe përdorimi i mirë i kompjuterit.

E pyetur se kush janë profesionet që mund të ushtrojnë punë online, Etleva tha: “Ne përkthyesit po punojmë pothuajse gjithë kohën online. Bëjmë përkthime me shkrim online, përkthejmë nëpër takime online. Punë ka shumë. Pandemia solli një rritje disafish në volumin e punës së përkthimeve.

–              Psikologët bëjnë këshillime online.

–              Mësuesit bëjnë mësimet e zakonshme të shkollës dhe kurse private.

–              Gazetarët – Një pjesë punojnë gjatë kohës online, të tjerë kombinojnë punën online me atë në terren.

–              Edhe mjekët sot po bëjnë konsulta online.

–              Profesionistët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (IT) etj”.

Këto profesione, por edhe shumë të tjera, mund t’i zhvilloni online, me vetëm një klik në Google.

Etleva thotë për abcnews.al se, për të gjithë që nuk e njohin tregun online, mjafton të futen në Google, të klikojnë me fjalët kyçe “Online Work Opportunities”. Aty krijon një ide se cilat janë llojet e punëve, aftësive apo shërbimeve më të kërkuara. Njeh edhe çmimet, pra bën një studim të këtij tregu ndërkombëtar. Kupton se ku mund të investosh pak kohë e ndoshta edhe pak lekë për të bërë ndonjë kurs (ka shumë të tilla online tashmë).  Si për çdo gjë, kërkon vullnet dhe durim.

Abcnews.al: Cilat janë avantazhet e punësimit online?

Etleva Pushi:

  • Ke akses në një treg global.
  • Ke një punë me objektiva të qarta dhe pagesë të qartë që në fillim. Di për çfarë punon.
  • Punon nga komoditeti i shtëpisë tënde.
  • Mund të konkurrosh me ofrues shërbimesh nga vende shumë më të zhvilluara, pasi i ke kostot më të ulëta. Një përkthyes në Angli, për shembull, ka kosto jetesë dhe biznesi shumë më të larta sesa unë në Shqipëri.

Abcnews.al: Si mund të gjejnë të rinjtë punë online? Çfarë mënyrash?

Etleva Pushi:

  • Ta privojnë veten dy orë në ditë nga Instagrami dhe ta shpenzojnë duke u zhytur në tregun e punës online (shkruaj ‘online work opportunities’)
  • Bëj një inventar. Merr një laps e letër e shkruaj:
  • Çfarë di të bëj? (Përkthim, për shembull)
  • A e kërkon njeri këtë lloj shërbimi në treg?
  • Cilat janë kompanitë apo individët që e kërkojnë apo që e ofrojnë këtë shërbim?
  • Studio, pa e hequr nga dora atë lapsin, si matet ky shërbimi, si vlerësohet? Çfarë quhet përkthim i mirë?
  • Kërko kurse/mundësi për të mësuar.
  • Ofroje atë shërbim falas që të mund t’i tregosh klientit potencial se di ta bësh këtë punë.
  • Kupto çmimet.
  • Bëhu aktiv në rrjetet profesionale, si për shembull LinkedIn.
  • Kujdesu për imazhin tënd në rrjetet sociale njësoj siç kujdesesh për trupin, look-un, dhe rrobat.
  • Mëso të shkruash mirë! Njerëzit nuk kanë durim të lexojnë dhe të dëgjojnë gjëra të padobishme. Njerëzit nuk kanë durim dhe as ndonjë entuziazëm të veçantë të lexojnë copy-paste nga një njeri anonim.
  • Ji SMART!

Abcnews.al: Si të mos bien pre e mashtrimeve?

Etleva Pushi:

  • Mos u nxito!
  • Zakonisht, në platformat serioze të punëve online, ka një lloj filtri të klientëve.
  • Mos ki turp të komunikosh me kolegë që bëjnë të njëjtën punë si ti, sidomos nëse ata kanë një profil të besueshëm (nëse kanë adresë të besueshme – mund edhe ta kontrollosh në Google Maps nëse bëhet fjalë për një kompani që mbahet “me të madh” në rrjetet sociale)
  • Lexo Review-të (vlerësimet e ofruesve të tjerë të shërbimeve si ti. Ata shpesh diskutojnë nëse X kompani të paguan apo jo, të paguan në kohë apo me vonesë).
  • Nëse je i pasigurt, bëj ndonjë test më një shumë të vogël (që nuk është garanci, por mund të përdoret e kombinuar me ato më lart).
  • Sigurohu që të bësh një vlerësim realist të kostos së punës. Bëja të qartë klientit që të mos ketë të papritura. Të papriturat financiare e shkatërrojnë marrëdhënien e biznesit dhe ‘fjala merr dhenë’.

Të gjitha këto këshilla, që mund të duken shumë, për ju që mendoni ose keni dëshirë të punoni online, janë shumë të vlefshme. Etleva i ka ndarë me ju lexues të abcnews.al, duke iu referuar eksperiencës së saj të gjatë në online. Ajo shprehet se, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të thithë punë/projekte online, por problemi është te të rinjtë dhe të rejat, që dinë gjuhë të huaja, por nuk dinë të punojnë, nuk dinë nga t’ja nisin.

Këshilla e saj është që, nëse një ditë futesh në tregun e punës online, duhet patjetër të dish të komunikosh me etikë biznesi, të gjendesh gjithmonë aty për t’u përgjigjur, të japësh afate për punën dhe t’i respektosh, të kesh cilësi në punë dhe të përmirësohesh vazhdimisht, çdo ditë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!