Argjentina u rikthye të fitojë Kupën e Amerikës pas 28 vitesh, dhe triumfi u bë më i ëmbël prej fitoren në finalen me Brazilin, që luante në shtëpi. Trofeu i parë me kombëtaren për Leo Messin, teksa Emiliano Martinez ishte një nga lojtarët më vendimtarë në këtë sukses.
Portieri, i cili luan me Aston Villa në Premier League, ka dhënë një prononcim interesant për Diario Ole, aty ku shpreh shumë gëzim dhe vlerësim për Leo Messin, shokun, kapitenin dhe futbollistin më të mirë në botë për të.
“30 ditë më parë ecja në rrugë dhe askush nuk më njihte. Nuk të ndodh shpesh të fitosh një Kupë Amerike, aq më tepër në Brazil. E kemi biseduar me njëri-tjetrin, është një ndjesi dhe sukses që vështirë se do të përsëritet.
Nuk e kishim aspak të lehtë, flinim keq, madje përdornim ilaçe që të na zinte gjumi“, deklaron Martinez, i cili kalon te Messi. “E keni parasysh Dragon Ball? Unë jam Vegeta, por duke luajtur përkrah Leos u bëra Super Saiyan“.
Më pas një koment në lidhje me mundësinë e zhvillimit të një ndeshje Itali-Argjentinë. Duel kampionësh, që 28-vjeçarit latin i pëlqen shumë. “Do të më pëlqente një sfidë e tillë. Kampionët e Evropës kundër kampionëve të Amerikës Latine; do ishte e pabesueshme.
Shumë njerëz thonë se Euro është turneu më i mirë, njësoj si Kupa e Botës dhe se skuadrat më të mira luajnë në Evropë. Megjithatë, shumë nga lojtarët më të mirë luajnë në Amerikën e Jugut… “, përfundoi Martinez. /abcnews.al