Vullnetarët ndodhen në stacionin e trenit të Lviv, ndërsa presin të mbërrijnë ukrainasit që po i largohen agresionit rus. Më në fund treni ndalon, dyert hapen dhe të gjithë fillojnë të ndihmojnë pasagjerët të zbresin, disa kërkojnë mes të evakuarve për të njohur, shkruan CNN.
Ka qenë një udhëtim i gjatë dhe i rrezikshëm. Ata u nisën nga qyteti juglindor të enjten, duke udhëtuar gjatë natës përpara se të mbërrinin në Lviv të premten pasdite. Në mesin e udhëtarëve janë një pjesë e vogël e refugjatëve që javët e fundit kanë arritur të arratisen nga shtëpitë e tyre në qytetin port të rrethuar të Mariupolit.
Ata janë me fat.
Mariupol ka qenë nën sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse për javë të tëra, me zyrtarët ukrainas që vlerësojnë se deri në 20,000 njerëz kanë vdekur si rezultat i bombardimeve të vazhdueshme.
Përpjekjet për të evakuuar civilët janë penguar nga forcat ruse dhe vetëm 79 persona arritën të evakuoheshin me sukses të enjten, sipas guvernatorit të rajonit. Ndërsa numri i personave të bllokuar besohet se është rreth 100,000, raporton abcnews.al.
Polina Kazantseva dhe vajza e saj Iryna Chelakhova ishin dy nga ato që mbërritën në Lviv të premten.
“Ndihem bosh. Do të jetë shumë e vështirë që të rindërtohet qyteti. Ata vazhdojnë ta bombardojnë atë”, tha Kazantseva për CNN.
“Personat e bllokuar në Mariupol priten të evakuohen me 19 autobusë. Ditën e parë, vetëm shtatë arritën të largoheshin. Në ditën e dytë, granatimet vazhduan; si mund të evakuohen njerëzit? Është shumë e frikshme.”
Ajo filloi të qante teksa mendonte për shtëpinë.
“Dua të kthehem atje. Por unë mendoj se do të na duhen shumë vite për të rindërtuar qytetin pas asaj që ata kanë bërë. Nuk do të jetoj kaq gjatë.”
Rusët do të digjen në ferr, ata nuk janë qenie njerëzore,” shtoi ajo.
Katya Yatsun po mban fëmijën e saj në krahë ndërsa partneri i saj po merr bagazhet. Ajo ka jetuar në Mariupol për dy vite përpara se të largoheshin.
“Është për të ardhur keq që kjo i ndodhi qytetit. Fëmija im ka lindur atje. Ne u detyruam të largoheshim; është e pamundur të jetosh atje”, tha ajo.
“Nëna ime qëndroi atje. Ajo nuk mund të largohet sepse burrat nuk lejohen të largohen. Dhe imë më nuk dëshiron të largohet pa burrin e saj. Ata janë atje tani.”
Pak më vonë, një tren i dytë mbërrin nga Zaporizhzhia i mbushur me më shumë njerëz, por askush nuk është nga Mariupol. Kapiteni i trenit, Serhii Antokhov, tha për CNN se operacionet po bëhen gjithnjë e më të vështira dhe denoncoi taktikat e dhunshme të panevojshme që po vendosen nga ushtria ruse.
“Ata janë fashistë të këqij; çfarë mund te them? Ata kanë frikë nga ne, ndaj sillen kështu”, tha ai.
/abcnews.al