Përjashtoi Berishën, SHBA: Vendimi i vështirë i Bashës meriton respekt, presim të punojmë më ngushtë se kurrë me PD

schedule09:04 - 10 Shtator, 2021

schedule 09:04 - 10 Shtator, 2021

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas vendimit të marrë dje nga kreu i demokratëve Lulzim Basha për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD deri në sqarimin e akuzave për korrupsion nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në një postim në mediat sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë deklaron se “vendimi i vështirë” i Lulzim Bashës meriton respekt. Sipas SHBA, ky vendim tregon se në momente kritike të historisë së Shqipërisë, PD ka kurajon “për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtohet e ardhmja.”

Në reagimin e ambasadës thuhet gjithashtu se tashmë SHBA pret me kënaqësi që të punojë më ngushtë se kurrë me Bashën dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

REAGIMI I SHBA

“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.”

Kujtojmë se të enjten mbrëma, kreu i demokratëve në një deklaratë për mediat bëri të ditur përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD deri në sqarimin e çështjes së ngritur nga SHBA pas shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit.

Nga ana tjetër, në dy dalje televizive lideri historik i PD, Sali Berisha u shpreh se Basha duhej të kishte dhënë dorëheqjen përpara se të lejonte që të prekej sovraniteti i vetë partisë. Edhe pse e pranoi se Basha mund të ketë qenë në një presion të madh, Berisha deklaroi se me këtë vendim pasuesi i tij i ka bërë një dëm të madh partisë.

Sali Berisha paralajmëroi se sot do të jetë i pranishëm në Parlament ndërsa bëri të ditur gjithashtu se tashmë për të nis puna për t’i rikthyer sovranitetin Partisë Demokratike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!