Autoriteti i Aviacionit Civil grek ka lëshuar një njoftim për fluturimet nga vendet e Afrikës së Jugut me qëllim kufizimin e përhapjes së koronavirusit, për shkak të mutacionit Omicron. Të gjithë personat që do të duan të udhëtojnë në Greqi, duhet ta bëjnë këtë vetëm për arsye specifike dhe të plotësojnë disa kushte si: test negativ, karantinë 10 ditore dhe leje e posaçme për të hyrë në territorin grek.
Nga kufizimi i udhëtimeve përjashtohen vetëm pasagjerët grekë dhe shtetasit e vendeve të tjera që udhëtojnë për arsye thelbësore dhe plotësojnë kushtet e mëposhtme:
-Një test negativ të vlefshëm brenda 72 orëve të fundit, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit.
-Leje nga Ambasadat, Konsullatat dhe Autoritetet përkatëse të vendeve të tjera, në rast mungese të Ambasadës Greke.
-Të gjithë udhëtarët nga nëntë vendet e Afrikës do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë pas mbërritjes në Greqi.
-Pas hyrjes në vend, do të duhet të karantinohen 10 ditë, dhe pas karantinës të testohen sërish.
Ky njoftim vlen gjithashtu edhe për fëmijët mbi 12 vjeç.
/abcnews.al