Franca po shtrëngon kufizimet në kuadër të pandemisë për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, pasi qeveria në Paris po punon për të ngadalësuar përhapjen e variantit Omicron. Nga e shtuna shumica e udhëtarëve që nuk janë rezidentë apo qytetarë francezë duhet të kenë një arsye emergjente për të hyrë në Francë.
Shoferët e kamionëve dhe studentët do të mund të udhëtojnë, ndërsa lista përjashton ata që duan të vizitojnë të afërmit e shtetasve britanikë. Rastet me variantin e ri të COVID, Omicron janë aktualisht shumë më të larta në Mbretërinë e Bashkuar se në Francë.
Mbretëria e Bashkuar regjistroi 78,610 raste të reja me Covid të mërkurën, numri më i lartë ditor i raportuar që nga fillimi i pandemisë. Një numër më shumë se 10 mijë raste, dyshohet të jenë Omicron. Franca raportoi 65,713 raste të reja me Covid gjatë një periudhe të ngjashme, por ka vetëm 240 raste të konfirmuara të Omicron. /Abcnews.al