Përhapja e koronavirusit / Tregjet globale në krizë

schedule10:45 - 9 Mars, 2020

schedule 10:45 - 9 Mars, 2020

Numri i të prekurëve nga koronavirusi është rritur në më shumë se 108.000 në rang global, 27.000 prej të cilëve jashtë Kinës. Përpos jetëve të humbura dhe panikut të njerëzve, ekonomia botërore po kalon gjithashtu traumë. Tregjet botërore janë gjithnjë e më shumë në rënie. Rreth 3821 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e virusit, pjesa më e madhe e të cilëve në Kinë.

Në Amerikë, tregjet kanë shënuar rënie të ndjeshme ditën e dielë. Wall Street po përballet me humbje të mëdha javët e fundit, për shkak të koronavirusit. Gjatë javës së fundit të shkurtit, stoqet amerikane shënuan javën më të dobët që nga kriza financiare e fundit dhe vazhdimi i përhapjes së koronavirusit nuk ndihmon në përmirësimin e gjendjes dhe krizës ekonomike të shkaktuar shkruan The Guardian

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra rreth 30%, në 31.14 dollarë të hënën, rënia më e madhe e tij që nga viti 1991.

Tregu aksionar australian ra me 7.33% pasi kompanitë e energjisë pësuan humbje të dyfishta .

Aksionet Nikkei në Japoni  ranë me 5% ndërsa aksionet në Hong Kong me 3.5%.

Agjensia e vlerësimeve Moody tha të hënën se rreziku i një recesioni global po rritet pasi përhapja e koronavirusit po  shkakton tronditje të kërkesës në të gjithë ekonominë botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore thanë se ata po lënë mënjanë miliarda paund për të mbështetur sistemet shëndetësore dhe të infektuarit.

Sidoqoftë, ditë pas dite shihet se gjendja në Kinë po përmirësohet dhe njerëzit po përpiqen t’i kthehen normalitetit. Ndërkohë, 100 vende të tjera kanë konfirmuar rastet e para dhe qindra vdekje kanë ndodhur në Itali, Iran apo Korenë e Jugut. Pjesa veriore e Italisë është ajo më e prekura nga virusi, duke shkaktuar kështu izolimin total të vendit.

Deri më tani në Itali janë konfirmuar më shumë se 7300 raste të prekur nga koronavirusi dhe 366 të tjerë kanë humbur jetën.

Në Francë, numri i rasteve është rritur në 1100 dhe deri tani ka 19 viktima. Frika se përhapja e epidemisë po rritet në Europë, është e madhe. Gjermania dhe Spanja gjithashtu kanë konfirmuar disa qindra raste, e ndërsa Shqipëria është vendi i fundit që i shtohet listës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!