Përgjimet, pronari i hotelit në Korçë ura e avokatit të trafikantit me gjyqtarët: Kam njohje personale

schedule11:39 - 10 Shtator, 2020

schedule 11:39 - 10 Shtator, 2020

Abcnews ka siguruar dosjen e plotë të korrupsionit ku përfshihet gjyqtarja Mimoza Margjeka në Apelin e Korçës për lirimin e Orion Balit, i arrestuar për trafikun e emigrantëve nga Linja e Mesme dhe Afrika Veriore në drejtim të vendeve të Europës duke përdorur Shqipërinë si trampolinë.

Gjithçka ka nisur në datë 4 korrik kur në Pogradec u arrestua Orion Bali. Pasi shkalla e la në burg, vëllai i tij u vendos në lëvizje për ta nxjerrë nga qelia. Fillimisht ai takoi avokatin Skënder Demirajn, i cili ishte ura lidhëse për të shkuar te gjyqtarët e dosjes.

Prova e fortë e SPAK-ut janë përgjimet. Avokati Skënder Demiraj e siguron vëllanë e të arrestuarit, për lirimin e Orionit për ta dërguar në arrest shtëpie kundrejt garancisë pasurore, por për këtë duhet të paguante si fillim 6 mijë euro, pasi janë 3 gjyqtarë.

Nejton Bali pasi ka siguruar shumën ia ka dhënë avokatit, i cili ka kontaktuar Klaudjo Zhillën, i cili është pronari i hotelit ku dorëzuan lekët. Zhilla i siguroi avokatit ndërhyrjen te gjyqtarët. “Klaudijo Zhilla i ka siguruar mundësinë e ndërhyrjes tek gjyqtarët, Olsi Xhavella dhe Mimiza Margjeka, për shkak të njohjeve personale që kishte me gjyqtarin dhe burrin e gjyqtares Mimoza Margjeka, Arben Cara” thuhet në dosje.

Zhilla vijoi me përmbushjen e premtimit duke komunikuar dhe takuar vetë burrin e gjyqtares Margjeka, Arben Cara dhe më pas duke ndërmjetësuar takimin mes tij dhe avokatit Skënder Demiraj, që i dha shumën monetare. Demiraj i dha Carës shumën prej 6 mijë eurosh me qëllim zbutjen e masës së sigurisë për Orion Balin./db/abcnews.al