Përgjimet e “Ndragheta-s”, Sollaku: Prokuroria mund të ketë nisur hetimet, por është sekret

schedule19:54 - 28 Janar, 2021

schedule 19:54 - 28 Janar, 2021

Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku deklaroi se Prokuroria e Posaçme mund të ketë nisur hetimin e përgjimeve të anti-mafias italiane, ku përmenden zyrtarë të lartë shqiptarë.

Ndërkohë që kreu i SPAK, Arben Kraja ka deklaruar se po presin informacion nga prokuroria italiane, i ftuar në Radar Informativ me Jonida Shehun, Sollaku u shpreh se prokuroria mund t’i ketë nisur hetimet por nuk ka pse t’i ndajë me mediat, pasi janë sekrete të drejtësisë.

“Unë mendoj se regjistrimi i procedimit është mirë të bëhet për të sqaruar çdo pyetje që mund të lindë dhe besoj që edhe institucioni përkatës që ka përgjegjësinë kushtetuese për të proceduar edhe këto që kanë dalë në media besoj se duhet të ketë bërë një lëvizje përpara. Por ka një gjë, mos prisni nga prokuroria që të japë informacion mediave ka filluar apo nuk ka filluar. Duhet të jetë një përgjigje e tërthortë sepse gjithmonë është sekret nëse është filluar apo nuk është filluar çështja.

Hetimet në Itali kanë filluar 3-4 vite më parë. Ka nevojë për tu bërë më mirë. Nuk mundet prokuroria që ka regjistruar çështjen dhe t’ua japë gazetave. Para se të regjistrohet procedimi ka nevojë të bëhen disa verifikime”, tha ai.

I pyetur nëse është mafia prezente në Shqipëri, ish prokurori e cilësoi si term shumë të fortë. Siç shpjegon ai në Kodin Penal të Shqipërisë përdoren termat “organizatë kriminale”. Në gjykimin e tij në Shqipëri ka forma të krimit të organizuar por jo në përmasat e mafies italiane.

“Është term shumë i fortë për tu përdorur sepse në veprimtarinë e përditshme zbatohen norma. Ne ende nuk e kemi përcaktuar në kodin tonë rastin e një mafie, kemi grup të strukturuar kriminal. Ne shohim shumë çështje nga shtet fqinje. Në Shqipëri nuk jemi në ato organizime sa janë në Itali. Ka forma të krimit të organizuar. Kemi të bëjmë me grupe të organizatave kriminale sesa organizata mafioze.

Problemi i pastrimit të parave është një situatë jo e thjeshtë. Të ngresh këtë akuzë duhet që së pari të kesh provuar një vepër penale.  Kemi shumë çështje të nisura nga organet tona. Në shumë organe të prokurorisë ecin me ligjin e anti-mafias. Një person që është dënuar më parë vazhdon regjistrohet. Ne e kemi ligjin anti-mafa shumë të ashpër por nuk zbatohet. Kam përshtypjen se e gjithë shoqëria do të penalizohet për shkak të hapësirave shumë të gjera që ai lejon për të dënuar. Ne vijmë nga një shoqëri informale.”, tha ai.

Çfarë zbuluan përgjimet?

Kujtojmë se janë rreth 35 të arrestuar nga operacioni i madh i anti-mafias italiane kundër klanit të “Ndragheta-a”. Në këtë operacion janë përfshirë edhe politikanë lokalë dhe të njohur në Itali siç është eurodeputeti Lorenzo Cesa, këshilltari rajonal për buxhetin Franco Talarico dhe sipërmarrësi Antonio Gallo, i njohur edhe si “Princi” që do të pushtonte Shqipërinë me projektet e tij përmes njohjeve këtu duke dhënë rryshfet.

Sa i përket Shqipërisë, të paktën nga ajo që është zbuluar nga autoritetet italiane, historia nis gjatë një darke në restorantin “Tullio” më datë 7 korrik 2017 në Romë. Në atë darkë janë të pranishëm biznesmeni Antonio Gallo, sekretari Franco Talarico e Tommaso Brutto, ish-këshilltar komunal i Catanzaros dhe djali i tij Saverio si edhe miq të tjerë të tyre.

Gjatë kësaj bisede theksohet fakti se në Shqipëri korrupsioni është masiv dhe se me 100 000 euro mund të “blesh” çdokënd.

Në një përgjim tjetër të disa muajve më vonë, dëgjohet Antonio Gallo, Brutto dhe një miku i tyre, Speziali që flasin se si mund të bëjnë biznes në Shqipëri duke korruptuar zyrtarë të vendit.

Gallo përmend faktin se kanë dërguar një të njohurin e tyre tek kryetari i bashkisë së Tiranës, ndërkohë që gjatë bisedes flitet edhe se përmes një personi të quajtur “Nik” mund të kenë akses tek ministrat, kryebashkiaku i Tiranës, etj. Madje, ata shprehen se mund të takojnë edhe presidentin e Republikës.

Në bisedë përmendet edhe fakti se personi i njohur si “Nik” ka në dorë disa licenca për ndërtimin e grataçelave në Tiranë dhe se me 20% të vlerës ryshfet mund të blesh gjithçka në Shqipëri.

Anti-mafia ka zbuluar se grupi i përgjuar e shihte Shqipërinë si një vend ku mund të investonin dhe të bënin gjithçka, mjaftonte që të jepje rryshfet në sasinë e duhur dhe personit të duhur. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!