Në ditën e 19 të saj, protesta e banorëve të Astirit, banesat e të cilëve preken nga zgjerimi i Unazës së Re, u zhvendos para godinës së Kuvendit të Republikës. Policia kishte marrë masat e nevojshme. Kordonë me efektivë të Komisariatëve dhe patrullës “Shqiponja” ishin vendosur përgjatë perimetrit rrethues.
Efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, me pajime speciale ishin pozicionuar fillimisht në vende jo të dukshme. Megjithëse nisi si paqësore, vazhdimi nuk ishte i tillë. Plasja e disa kapsollave dhe tymueset rritën tensionin deri në përplasje fizike.
Përparimi i protestuesve u pengua. Përballja fizike shkaktoi të lënduarit e parë. Ndër ta këta dy punonjës policie. Pas normalizimit të situatës, përmes një megafoni, një punonjës policie i kërkoi protestuesve të mos hedhin kapsolla dhe të distancohen nga dhuna. Por kërkesa e tij u pasua me një tjetër përpjekje të protestuese për të thyer 9 kordonet e policisë.
Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht lëndimin e 13 punonjësve të policisë në protestë. Mes tyre një oficerë që ka humbur dy gishta, ndërsa një tjetër ka humbur dëgjimin. Të lënduar pati edhe nga protestuesit, ku të paktën 10 prej tyre u shoqëruan për në spital. Të tjerë edhe në polici. Protesta u ndërpre pas më shumë se dy orësh, me qëllim për të vijuar në Unazën e Re në orën 17:00./abcnews.al