Ka përfunduar takimi mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano dhe ambasadores amerikane Yuri Kim.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, diplomatja amerikane bëri të ditur se i uroi suksese Nanos në pozicionin e tij të ri ndërsa bëri të ditur se e siguroi që SHBA do të vijojë që të ofrojë mbështetje për Policinë e Shtetit në pajisje dhe trajnime.
Nano deklaroi se e informoi ambasadoren se policia e shtetit do të jetë në nivele të larta të performancës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Po ashtu, ai bëri të ditur se i kërkoi Kim-it mbështetjen e vazhdueshme nga ana e SHBA pasi, siç u shpreh ai, kjo është një punë që nuk bëhet asnjëherë vetëm.”
“Jam i bindur që bashkë do t’ia dalim për të pasur rend dhe siguri më tepër në vendin tonë dhe për të mbështetur edhe në SHBA, në mbrojte të interesave të qeverisë, dhe jetës së qytetarëve amerikanë.”
Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane u shpreh se konfirmoi me drejtorin e policisë se bashkëpunimi i fortë mes SHBA dhe Shqipërisë për çështjet e ligjzbatimit mbetet i rëndësishëm.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë sa më shumë mbështetje të jetë e mundur, nga pajisje në trajnime. Diskutuam rëndësinë që policia të rrisë e të ruajë besimin e publikut. Unë dhe Nano jemi mbështetës të fortë të prezencës së policisë. Të gjithë e dimë që policia e shtetit ndërmerr rreziqe të mëdha madje duke humbur jetën e për të ruajtur ligjin e rendin.”
Yuri Kim theksoi po ashtu rëndësinë që të “sigurohemi që zbatimi i ligjit të mbetet i ruajtur nga çdo lloj ndikimi apo influence që vjen nga jashtë.” /abcnews.al/