Mbyllet sot afati 7-ditor për aplikimet në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Deri tani mësohet se janë dorëzuar dy aplikime, nga drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, dhe drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Pëllumb Seferi.
Në orët në vijim pritet që aplikimin ta dorëzojnë edhe disa emra të tjerë, mes tyre drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, si dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Në garë pritet të përfshihen edhe drejtues të tjerë të strukturave policore.
Pas mbylljes së afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme do të publikojë në faqen zyrtare listën e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm prej tre anëtarësh do të kryejë vlerësimin paraprak për verifikimin e kushteve ligjore. Komisioni do të kryesohet nga një zëvendësministër i Brendshëm dhe do të ketë si anëtarë sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.


