Për të ndërtuar një papafingo, riparuar çatinë apo vendosur murin rrethues në një banesë në fshat do ta keni më të lehtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dha lajmin e mirë nga rruga e re “Grigor Cilka” që lidh banorët e njësisë dy me lagjet e Farkës.
“Për këto punë, deri dje, njerëzit duhet të vinin te bashkia e madhe, të bënin procedura me arkitekte, çka kushtonte më shumë arkitekti se sa vetë çatia e shtëpisë. Më vjen mirë që ky non sens u zgjidh me dashamirësinë dhe vullnetin e kryeministrit dhe shumicës tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë se duhet abuzuar, por bëhet për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi banorët të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komuniteteve” përmes të cilit bashkia paguan gjysmën e vlerës së investimit për rehabilitimin e hapësirave të përbashkëta.
“Kush ka nevojë që pallati i tyre të vishet me sistem kapot, kush ka nevojë për një ashensor, kush ka nevojë për panele diellore, bashkia paguan gjysmën e investimit”, tha Veliaj.
Me rrugën e re Veliaj tha se pronat e banorëve në këtë zonë do të marrin më tepër vlerë ndërsa qarkullimi I automjeteve do të lehtësohet.
/abcnews.al