Pas gati një muaji nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Zyrtarizimi i tyre tani pret edhe procesin e certifikimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tani është e qartë përbërja e parlamentit të ri me 120 vende, por jo konfigurimi i qeverisë së re.
LVV ka mundur të sigurojë vetëm 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 dhe AAK 8 deputetë, ndërsa 20 vende janë të garantuara për pakicat në vend.
Asnjë prej subjektet politike në garë nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 deputetësh për të qeverisur i vetëm.
Po çfarë ndodh tani?
Sipas Nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Në atë seancë, duhet zgjedhur Kryetari i Kuvendit.
Sipas Nenit 67, ky post i takon grupit më të madh parlamentar, dhe kandidati për të duhet të marrë shumicën e votave të deputetëve.
Nëse ka një parti fituese të qartë, rruga është e qartë. Nëse jo, nisin lëvizjet politike. Hapi tjetër është zgjedhja e qeverisë. Pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja e Republikës duhet të propozojë një kandidat për Kryeministër.
Sipas kushtetutës, ajo duhet të konsultohet me partinë ose koalicionin që ka shumicën për të formuar qeverinë. Kandidati për kryeministër ka 15 ditë për të paraqitur emrat e kabinetit qeveritar për votim. Nëse qeveria miratohet, nis mandati i saj.
Nëse jo, Kushtetuta sërish ka përgjigje: Presidentja ka 10 ditë për të propozuar një emër tjetër. Dhe nëse as ky nuk kalon, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve./abcnews.al

