Në Fier bashkia ka vendosur të shkatërrojë globin në qendër, të cilin e vendosi shtatë vjet më parë. Atëkohë u pa si një simbolikë e fortë për qytetin, por sot do të hidhet në plehra.
Shtatë vjet më parë kushtoi 40 mijë euro, por sot po përfundon në plehra. Simboli i Europës në qendër të Fierit ose globi, sikurse quhej nga qytetarët, po çmontohet.
Në kuadër të rehabilitimit të qendrës, Bashkia ka vendosur ta zëvendësojë këtë objekt me një vepër tjetër simbolike.
Globi i Fierit u ndërtua në vitin 2012 ideuar nga Fate Velaj dhe sponsorizuar nga kompania Albstar në vlerën e 40 mijë eurove.
Globi prej hekuri shërbeu më tepër si sinjalistikë orientuese sesa si simbolikë.
Kjo e fundit synonte të jepte idenë e përkatësisë europiane të shqiptarëve por dështoi në përcjelljen e mesazhit.
Që prej instalimit të atij që supozohej të ishte vepër arti, pjesët metalike u ndryshkën duke i dhënë një pamje të pakëndshme qëndrës së qytetit.
Me zhvendosjen e globit, bashkia e Fierit synon ti japë qëndrës një pamje të re, por duke e ruajtur idenë fillestare atë të Shqipërisë si pjesë natyrale e Europës.
Një konkurs që pritet të mbahet së shpejti do të përcaktojë objektin që do të zëvendësojë globin e dikurshëm. /ABC News Albania 24/7