Ministrja e infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku shoqëruar nga zëvendëskryeministri Erion Braçe ka ndjekur nga afër ndërhyrjet në nënstacionin elektrik të Karavastasë.
“Ne po investojmë kudo në sisteme të automatizuara, të cilat na shkurtojnë kohë përsa i përket identifikimit të avarive si dhe riparimit të tyre. Nëse dikur duhet të gjenim me telefon cila shtyllë ishte rrëzuar ku ishte problemi, sot e identifikojmë përmes të gjitha sistemeve automatike se ku e kemi problemin, realizojmë ndërhyrjen, kështu që koha e riparimit është shumë më e shkurtër”, tha Balluku.
Balluku shprehet se falë investimeve të bëra në këtë nënstacion, 1 mijë banorë të zonës do të kenë cilësi më të mirë të furnizimit me energji.
“Do të kërkohet të ketë mbështetje të tjera në këtë zonë që do të lidhen me linjat e transmetimit të energjisë. Këtu ku jemi sot është një investim i OSHE i nisur para disa kohësh dhe rezultatet e para i ka dhënë pas ditëve me shumë shi në të gjithë territorin e Shqipërisë. Investimi ka të bëjë me panelet e kontrollit dhe për të mos lejuar që të mos kemi përmbytjet që i kemi pasur në vitet e mëparshme”, tha Balluku.
/abcnews.al/