Pas 4 orë diskutimesh ka përfunduar mbledhja Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore. Deri më tani nuk ka marrëveshje mes palëve, ndërsa pritet një tjetër mbledhje nesër, datë në të cilën përfundon edhe afati që partitë i kanë vënë vetes për miratimin e reformës.
Përfaqësuesit e opozitës në tryezën e Zgjedhores Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili në fjalën e tyre janë shprehur se PS-ja ka vetëm një qëllim dhe ajo është vjedhja e votave.
Lexo edhe: Gjiknuri: Nga kamerat tek hapja e kutive, të gjitha garancitë që i dhamë opozitës
Bylykbashi në fjalën e tij pas përfundimit të mbledhjes ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqet, pavarësisht se deri më tani propozimet e tyre janë refuzuar.
“Mazhoranca nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit, është i pamundur përsa i përket çështjeve të administrimit të zgjedhjeve nuk heq dorë vetë mbush kutitë vetë i numëron dhe vetë shpall rezultatin. PS ka vetëm një strategjinë vjedhjen dhe marrja e votave në tavolinë, kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do të lejojë që të kalojë dhe pa u arritur dakordësia për mbushjen e kutive përmes identifikimit biometrik, përpjekjet e tjera janë për të maskuar atë që thashë më parë detaj që opozita nuk do e lejojë. Të gjithë propozimet tona janë refuzuar pavarësisht fleksibilitetit të opozitës që për çështje të caktuara të ecet për të gjetur kompromis, por që nuk janë çështje themelore ne jemi përballur me refuzimin e të gjitha çështjeve që garantojnë procesin zgjedhor. PS do të krijojë alibionë që në përfundim të procesit ti drejtohet parlamentit që ti vendosë rregullat vetëm pa kompromis dhe konsensus ashtu si kërkon BE dhe siç është marrëveshja e 14 janarit 2020. Deri sot opozitës çdo kërkesë që është bërë i është refuzuar nga PS që nuk ka interes për reformën zgjedhore.”, është shprehur Bylykbashi.
Ndërkohë Vasili ka theksuar se miratimi i reformës zgjedhore është një ndër kushtet e hapjes së negociatave dhe PS-ja nuk mund që ta anashkalojë një gjë të tillë.
“I gjithë modeli i socialistëve është vetëm legjitimimi i eksperimentit të 30 qershorit ku numëruesit dhe komisionerët të bëhen me ligj. Parimi i njohur stalinist që ka rëndësi të votojnë njerëzit dhe votat ti numërojë vetë dhe të nxjerrë rezultatin siç bëri dhe me 30 qershor që ju desh 1 muaj. Ajo që opozita ka vendosur pa kthim është asnjë centimetër më poshtë nga standardet që ekzistojnë dhe të hyjmë në një rrugë ku nuk ka ekzistuar kurrë në pluralizmin shqiptar dhe kur PS-ja ka qenë në opozitë ka kërkuar këto dhe i ka vendos. Sot ka vetëm një strategji është e PS që të minojë këtë sistem zgjedhor dhe të rrëmbejë në mënyrë të paligjshme votat, të miratojë në mënyrë të njëanshme votat dhe të bëjë sikur harron që 3 çështjet e mëdha për negociatat janë reforma Zgjedhore, hetimi i krimit elektoral dhe zbatimi i reformës. PS-ja ka vetëm një rrugë të mos pengojë propozimin e opozitës që nuk privilegjon opozitën por vendos në kushte të barabarta të dy palët, dhe i heq mundësinë PS-së që të varrosë reformën zgjedhore. Propozimet e opozitës janë të qarta”, është shprehur Vasili.