Përfundojnë punimet në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”

schedule14:14 - 6 Korrik, 2019

schedule 14:14 - 6 Korrik, 2019

200 pallate çdo vit synon Bashkia e Tiranës të rehabilitojë përmes Fondit të Komunitetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi qytetarët të aplikojnë ndërsa inspektoi punimet e kryera në rrugën “Dhimitër Shuteriqi” në njësinë numër pesë.

Kjo zonë e Tiranës me shtëpi të ndërtuara kryesisht gjatë tranzicionit ka marrë një tjetër pamje. Muret rrethuese të banesave janë pajisur me kangjella ndërsa rruga me ndriçim e sinjalistikë.

Bashkia ka përfunduar investimin në rrugën “Dhimitër Shuteriqi” në njësinë administrative numër pesë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e inspektoi bashkë me deputetin socialist Pandeli Majko.

“E vlerësojmë faktin që edhe pse piku i vapës në ditë të verës, i kemi ndenjur punës te koka dhe në fund të fundit, mbajmë premtimin që dhamë. Ndaj, edhe data 30 qershor është vetëm fillimi me energji të reja i punës dhe jo detyrimisht fundi dhe lënia pas dore e punëve. Për ne fushata është ajo çka ndodh 4 vite përditë; përditë një punë konkrete, që mos të dallojë fare ai 30 ditëshi zyrtar i fushatës, nga 1500 ditët e qeverisjes dhe administratës lokale. Puna konkrete sot ishte “Dhimitër Shuteriqi”, kështu që ta gëzojmë të gjithë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë ftoi qytetarët që të aplikojnë për “Fondin e Komunitetit” ndërsa shprehu synimin e tij për këtë katër vjeçar.

“Jam i lumtur gjithashtu që shoh që ashtu siç kemi nisur me Pallatet e Arabit, pallate të tjera kanë filluar me Fondin e Komuniteteve. Ne duam të kalojmë nga një situatë ku kemi pasur 50 pallate në vit, në 200 pallate çdo vit. Do punojmë me buxhetin e ri të këshillit të ri bashkiak, sidomos në zona të tilla, ku puna na është shpërblyer me votë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se kjo nismë vjen si  një përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve të Tiranës për të rikuperuar një pjesë të problematikës së viteve ’90. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!