Përfundojnë kërkimet për 12 personat e zhdukur nga peshkarexha spanjolle që u fundos në brigjet e Kanadasë

schedule01:50 - 17 Shkurt, 2022

schedule 01:50 - 17 Shkurt, 2022

Kërkimi për të mbijetuar nga një peshkarexhë spanjolle që u mbyt në brigjet lindore të Kanadasë të hënën ka përfunduar, tha ekipi i shpëtimit. Tre anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, por nëntë janë konfirmuar të vdekur dhe 12 janë ende të zhdukur. Ekuipazhi përfshinte 16 spanjollë, pesë peruan dhe tre ganezë.

Barka e peshkimit, me bazë në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Galicia, u mbyt në Newfoundland, në tragjedinë më të rëndë të peshkimit në Spanjë për gati 40 vjet. Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi fundosjen . “Kërkimi aktiv për ekuipazhin e zhdukur ka përfunduar. Rasti tani i është dorëzuar organeve të zbatimit të ligjit si rast i personave të zhdukur në det,” i tha “BBC-së” Brian Owens nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Shpëtimit të Kanadasë.

Në Madrid, parlamenti mbajti një minutë heshtje. Ministri i Bujqësisë dhe Peshkimit, Luis Planas, tha se ishte tragjedia më e madhe në industrinë e peshkimit që kur Islamar III, një varkë sardelesh, u mbyt në Ishujt Kanarie në vitin 1984, duke marrë 26 jetë.

Luzmar, një nënë e katër fëmijëve, bashkëshorti 29-vjeçar i së cilës Edwin Cordoba është në mesin e të zhdukurve, tha se fëmijët e tyre kanë pyetur se kur babai i tyre do të kthehet në shtëpi. Ajo dhe burri i saj janë të dy nga Peruja. “Jam e shkatërruar, nuk mund ta duroj,” u tha ajo gazetarëve, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”. “Përpara tyre nuk mund të tregoj se si ndihem vërtet sepse ata nuk e dinë ende”, shtoi ajo para se të shpërthente në lot”.

Dy alarme fatkeqësie u morën nga anija më shumë se 450 km nga toka, sipas agjencisë spanjolle të kërkimit dhe shpëtimit në det Salvamento Maritimo .Anija, e regjistruar në vitin 2004, ishte me bazë në portin e Marin. / abcnews.al