Përfshirë edhe Superiorja, FSHF ndal futbollin për 1 javë

schedule11:14 - 14 Shkurt, 2021

schedule 11:14 - 14 Shkurt, 2021

Reshjet e dëborës kanë “pushtuar” gjithë vendin tonë dhe kanë bërë të vështirë transportin si dhe kanë mbuluar fushat të gjithë stadiumeve, duke e bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjeve.

Si pasojë, me anë të një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF zbulon pezullimin e të gjitha ndeshjeve të futbollit në vendin tonë, deri të shtunën e ardhshme, duke përfshirë edhe Superioren, që ishte planifikuar të luhej të mërkurën.

NJOFTIMI – Moti i keq dhe reshjet e dëborës që kanë përfshirë të gjithë vendin tonë kanë detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit që të shtyjë të gjitha ndeshjet e parashikuara për këtë javë.

Federata e Futbollit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e të gjitha klubeve dhe është njohur me situatën e rënduar të terreneve sportive dhe stadiumeve, ku do të zhvilloheshin shumë ndeshje.

Duke vlerësuar këtë situatë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të shtyjë ndeshjet e futbollit në të gjitha nivelet e kampionateve deri të shtunën e ardhshme, datë 20 shkurt 2021.

Ndeshjet e parashikuara për t’ua luajtur këtë të diel dhe gjatë javës, do të luhen në një datë të mëvonshme, që do të përcaktohen nga Sektori i Garave në FSHF. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!