Urgjenca e Spitalit të Durrësit është përfshirë nga flakët paraditen e sotme, për shkak të një shkëndije elektrike në repartin e grafisë.
Siç raporton për ABC News gazetari Leonidha Musaj, brenda pak minutash, zjarri ka pushtuar të gjitha dhomat dhe era e djegies së kabllove ka filluar të asfiksojë pacientët.
Të gjithë pacientët që ishin shtruar në repartin e Urgjencës u evakuuan për në një tjetër godinë brenda spitalit Rajonal ndërsa vënia nën kontroll e flakëve ka zgjatur rreth 2 orë.
Zjarrfikësit dhe forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të neutralizuar zjarrin.
Ndërkohë nga informacionet bëhet me dije se asnjë person nuk ka mbetur i lënduar.
Drejtoresha e Spitalit të Durrësit në një prononcim për ABC News tha se në momentin e zjarrit në Urgjencë kanë qenë rreth 7-8 pacientë të cilët u evakuuan menjëherë pa lëndime.
“Nuk patëm vështirësi, nuk kanë qenë shumë pacientë të shtruar në momentin kur ndodhi zjarri, ishin rreth 7-8, stafi i spitalit i transferoi në ambiente të tjera të spitalit. Për fat nuk pati asnjë dëm në njerëz, por edhe në spital. Po presim të ajrosen ambientet dhe të rifillojmë punën”, u shpreh ajo.
Sakaq edhe Drejtori i zjarrfikëseve të qytetit të Durrësit deklaroi se zjarri është neutralizuar menjëherë përmes zjarrfikëseve të dorës.
“Ndërhymë me zjarrfikëset e dorës, bëmë të mundur shuarjen e zjarrit. Mendoj se shkak i kësaj shkëndije është mbingarkesa nga aparaturat por që gjithsesi për këtë do të duhet të flasë grupi i ekspertëve”, shtoi ai.
Tashmë situata në Urgjencën e Spitalit të Durrësit është drejt normalizimit dhe gatishmërisë për pritjen e pacientëve, këtë e ka konfirmuar edhe zyrtarisht përmes një reagimi, Spitali i Durrësit.
“Lidhur me tymin në urgjencën e Spitalit të Durrësit, Drejtoria e këtij Spitali sqaron: Në urgjencën e spitalit të Durrësit gjatë mesditës së sotme ka ndodhur një shkëndijë elektrike, e cila ka shkaktuar tym në ambientet e urgjencës, por fatmirësisht pa pasoja. Nuk ka asnjë të lënduar dhe 7 pacientët që po merrnin shërbim në Pavionin e Urgjencës janë transferuar në ambiente të tjera. Situata aktualisht është e qetë dhe është kryer ventilimi i ambienteve të spitalit, për të vijuar punën normalisht”, thuhet në reagimin e bluzave të bardha.
N.D./abcnews.al