Autokolona e makinave të Justin Trudeau u përfshi në një aksident pranë Los Anxhelosit të premten në mbrëmje. Për pasojë tre perosna u lënduan dhe u dërguan në spital.
Aksidenti ndodhi kur Kryeministri 46 vjeçar kanadez po largohej nga Biblioteka Presidenciale Reagan ku ai kishte mbajtur një fjalim. Një makinë tip Toyota Highlander u kthye në të majtë para autokolonës së tij, njofton ABC News.
Përplasja ndodhi rreth orës 7:22 në Rrugën Madera pranë Rrugës Aristotel në Simi Valley të Kalifornisë.
Zëdhënësja e Policisë Rrugore të Kalifornisë Elizabeth Kravig njoftoi se një shofere femër e cila udhëtonte së bashku me djalin e saj u kthye përballë autokolonës dhe goditi një motor të drejtyuar nga një oficer policie i kalifornisë.
Oficeri po drejtonte autokolonën.
Kravig tha se shoferja dhe djali i saj janë dërguar në spital, ndërsa nuk dihet për gjendjen e tyre shëndetësore.
Zyrtari i Policisë u plagos dhe u shtrua në spital me lëndime ‘jo kritike’.
Automjeti Trudeau nuk ishte përfshirë në aksident dhe autokolona e tij vazhdoi rrugën./abcnews.al