Përfitimet dhe detyrimet e Maqedonisë së Veriut pas anëtarësimit në NATO

schedule15:25 - 6 Shkurt, 2019

schedule 15:25 - 6 Shkurt, 2019

Maqedonia e Veriut ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në NATO, pas firmosjes së protokollit për pranimin e vendit në Bruksel mëngjesin e të mërkurës. Por cilat janë përfitimet dhe detyrimet që tashmë do të ketë vendi.

Pas anëtarësimit në NATO përfitimet për Maqedoninë e Veriut do të jenë përtej sferës së sigurisë. Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut konsiderohet si një vend i sigurt dhe me ekonomi të konsoliduar. Nisur nga kjo, investitorët e huaj do të kthejnë sytë nga vendi për të investuar. Për të vërtetuar këtë ide, analistët kanë marrë shpeshherë si rast shembullin e Çekisë, e cila, pasi u anëtarësua në NATO, pati një bum investimesh, të cilat kapën shifrën e 9 miliardë eurove.

Me hyrjen në NATO forcohet edhe roli i vendit në arenën ndërkombëtare dhe Maqedonia e Veriut fiton një peshë lobingu. Por veç përfitimeve, anëtarësimi në NATO do të sjellë edhe disa detyrime për vendin. Hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO e detyron politikën të ndërtojë një demokraci funksionale, të krijojë shtetin ligjor dhe të forcoje institucionet, tre elemente këto shumë të rëndësishëm, nga të cilat ka vuajtur politika në këto vite të tranzicionit të vështirë.

Gjithashtu vendi duhet të rrisë investimet në ushtri duke realizuar reformat e domosdoshme sipas standardeve euroatlantike duke u pajisur edhe me armatime moderne. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut do të ketë dhe një detyrim të përvitshëm për të derdhur në arkën e NATO-s një shumë të caktuar, në varësi të buxhetit të vendit dhe mesatares së vendeve anëtare. Ndër përfitimet pas anëtarësimit në NATO renditen të qënurit pjesë e aleancës më të suksesshme të kohëve moderne, forcimi i rolit të vendit në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu reformat për NATO-n afrojnë vendin më shumë me BE-në./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!