Përfaqësimi i PD në KZAZ, Manja: Informacione rruge, regjistrimi i mbyllur

schedule20:47 - 16 Maj, 2019

schedule 20:47 - 16 Maj, 2019

Kryetari socialist i Komisionit të ligjeve thotë se formalisht procesi në KQZ është mbyllur me regjistrimin e partive e kandidatëve për vendoret e 30 qershorit. Ulsi Manja hodhi poshtë pretendimet e opozitës për manipulim të zgjedhjeve nga mazhoranca, duke i konsideruar si informacione jo serioze kafenesh nga një opozitë në rrugë.

Vendimi më i fundit i Partisë Demokratike për t’u përfaqësuar në KZAZ dhe KQV, pa marrë pjesë në zgjedhje është komentuar në studion e Mbrëmje në ABC News nga deputeti socialist Ulsi Manja. Sipas tij PD duke qenë në rrugë ushqehet me informacione kafeneje, pasi procesi i regjistrimit është ligjërisht i mbyllur dhe zgjedhjet vendore administrohen nga KAZAZ-të.

“Është në vazhdën e informacioneve që PD i mbledh në kafene, se kur je në rrugë me ato informacione do ushqehesh, nuk përfaqësohet në KQZ e KAZAZ dhe informacionet i merr nga rruga dhe kjo s’më duket serioze, e dyta PD dhe LSI kanë vendosur të përfaqësohen në KQV e KAZAZ pa marrë pjesë në proces. Unë nuk dua të hyj në teknikalitete juridike. Procesi në këtë moment është ligjërisht i mbyllur. Kodi Zgjedhor ka afate për regjistrimin e kandidatëve, listave dhe këshilltarëve respektivë.

Nga pikëpamja ligjore procesi është ligjërisht i mbyllur dhe këto zgjedhje administrohen nga KAZAZ vendore dhe KAZAZ janë ngritur dhe KQV janë derivat.

PD do të duhet t’u thotë qartë shqiptarëve do hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit apo jo, sepse në këtë moment PD u thotë shqiptarëve që ne s’do jemi pjesë e dasmës, por do jemi zotërit e dasmës do vimë të shohim si bëni ju dasmën. Që në këtë deklarim tregon mosseriozitetin dhe problemi këtu është politik”.

I pyetur nëse ka hapësirë për shtyrje të datës së zgjedhjeve me konsensus, Manja tha: “Datën e zgjedhjeve nuk e kemi vendosur ne, ne kemi detyrimin kushtetues t’u shkojmë shqiptarëve me një alternativë, e drejta e zgjedhjes është e qytetarëve jo e jona”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!