Perëndimi shton presionin mbi Putinin, Rusia intensifikon luftën ndaj Ukrainës

schedule15:46 - 7 Mars, 2022

schedule 15:46 - 7 Mars, 2022

Ukraina mbetet nën sulmin e forcave ruse që po zhvillojnë luftën me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin. Sanksionet perëndimore në rritje të vazhdueshme, deri më tani nuk kanë arritur të pengojnë agresionin e Rusisë, ndërsa përpjekjet për evakuim në Ukrainë kanë ngecur për shkak të bombardimeve pa dallim të infrastrukturës civile.

Përpjekjet për evakuim në qytetin port të Mariupolit u bllokuan për të dytën ditë radhazi mes bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse. Kjo, pavarësisht një njoftimi për armëpushim nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje, deri tani pa sukses, për krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, një kërkesë që fuqitë perëndimore e refuzojnë.

“Mendoj se ka shumë pika ku ne mund të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet – si nga sulmet ajrore ashtu edhe nga sulmet me raketa – por njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë do të thotë një zonë ndalim-fluturimi. Nuk është një lloj rregulloreje që e miraton dhe të cilin të gjithë duhet ta zbatojnë. Zbatimi i saj dso na kërkojë të rrëzojmë avionët e Federatës Ruse, që në thelb është fillimi i Luftës së Tretë Botërore”, tha senatori republikan Marco Rubio.

Forcat ruse vazhdojnë të godasin infrastrukturën civile dhe rezidenciale në qytetet të ndryshme të Ukrainës. Ndërkohë fuqitë perëndimore vazhdojnë të rrisin sanksionet ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe personave më të afërt me të, duke çuar në rënien e rublës ruse. Presidenti Putin i quajti sanksionet shpallje lufte, pasi ai vetë i hapi luftë fqinjit të tij.

“Kjo nuk është një rrugë e lehtë përpara për presidentin Putin, dhe siç e dini, ne morëm 141 vota kundër Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Ata janë të izoluar. Të izoluar në Këshillin e Sigurimit dhe të izoluar në mbarë botën”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Dhe ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi imazhe të paverifikuara që pretendojnë të tregojnë një sulm me dron mbi pozicionet ushtarake ukrainase, ndërsa tanket ruse hyjnë në zona pyjore të paidentifikuara, kryebashkiaku i kryeqytetit Kiev, thotë se ukrainasit do të luftojnë për sovranitetin e vendit të tyre, por se lufta është më e madhe se sa thjesht për Ukrainën.

“Ne nuk të kthehemi mbrapsht në ish Bashkimin Sovjetik. Ne e shohim të ardhmen tonë si një vend demokratik, modern, europian. Dhe ne presim mbështetje nga e gjithë bota sepse ne po luftojmë jo vetëm për Ukrainën. Ne po luftojmë për vlerat. Ne po luftojmë për të gjithë botën moderne. Ne duhet ta ndalojmë përfundimisht Putinin” tha zoti Vitali Klitschko.

Mijëra ukrainas në makina në periferi të kryeqytetit u rreshtuan për t’u evakuuar duke vendosur disa tabela në xhamat e makinave të tyre me fjalët “fëmijë” dhe “evakuim”.

Por ukrainasit po luftojnë. Kjo video e paverifikuar nga ushtria ukrainase tregon një helikopter luftarak rus të rrëzuar, e fundit në një përpjekje rezistence që vlerësohet gjerësisht si “e ashpër”.

Ndërsa Forcat e Armatosura të Ukrainës, shumë prej të cilëve ishin civilë vetëm disa javë më parë, përgatiten për avancimin e forcave ruse në Kiev, Perëndimi duket i përgatitur të vazhdojë mbështetjen materiale duke qëndruar larg angazhimit ushtarak me Rusinë./VOA