Perëndimi shprehet skeptik ndaj propozimit të Kinës për armëpushim në Ukrainë

schedule14:35 - 24 Shkurt, 2023

schedule 14:35 - 24 Shkurt, 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten u tregua i matur ndaj një propozimi të Kinës për një armëpushim në Ukrainë, duke thënë se Pekini nuk ka shumë besueshmëri si ndërmjetës.

“Kina nuk ka shumë besueshmëri sepse nuk ka qenë në gjendje të dënojë pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”, u tha ai gazetarëve në Talin të Estonisë, duke shtuar se Pekini kishte nënshkruar një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin vetëm disa ditë para pushtimit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Kina nuk kishte dhënë një plan paqeje, por vetëm disa parime.

“Ju duhet t’i shihni ato (propozimet e Kinës) në një sfond specifik, dhe ky është sfondi që Kina tashmë ka marrë anën (e Rusisë) duke nënshkruar, për shembull, një miqësi të pakufizuar menjëherë përpara pushtimit”, theksoi ajo.

“Kështu që ne do t’i shikojmë parimet, natyrisht, por do t’i shikojmë ato në sfondin që Kina ka marrë një anë të caktuar”, shtoi ajo.

Në përvjetorin e luftës në Ukrainë, Kina bëri thirrje për një armëpushim midis Kievit dhe Moskës dhe hapjen e bisedimeve të paqes, përmes një propozimi prej 12 pikash, për t’i dhënë fund luftimeve që filluan një vit më parë.

Pekini pretendon se ka një qëndrim neutral në luftë, por Kina ka thënë gjithashtu se ka një “miqësi të pakufizuar” me Rusinë dhe ka refuzuar të kritikojë pushtimin e saj në Ukrainë, apo edhe t’i referohet si pushtim.

Vendi ka akuzuar Perëndimin për provokimin e konfliktit dhe se po i “hedh benzinë zjarrit” duke i ofruar Ukrainës armë mbrojtëse.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë thënë se Kina mund të përgatitet t’i ofrojë Rusisë ndihmë ushtarake, diçka për të cilën Pekini thotë se i mungojnë provat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Ëang Ëenbin e ka quajtur akuzën “asgjë më shumë se gënjeshtër dhe shpifje”.

Perëndimi ka shprehur dyshime nëse Kina mund të shihet si një ndërmjetës i ndershëm.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price ka thënë të enjten se SHBA do të rezervonte gjykimin mbi propozimin, porse besnikëria e Kinës ndaj Rusinë nënkupton se ajo nuk është një ndërmjetës neutral.

“Ne nuk do të donim të shohim asgjë më shumë se një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme … por ne jemi skeptikë se raportet për një propozim si ky do të jenë një rrugë konstruktive”, tha ai.

Stoltenberg dhe von der Leyen udhëtuan për në Talin për të përkujtuar ditën e Pavarësisë së Estonisë së bashku me kryeministren Kaja Kallas.

Njëzetekatër shkurti shënon përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës.

Teksa lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të dytë, Kallas u kërkoi partnerëve të BE-së dhe NATO-s të siguronin prokurimin e përbashkët të armëve dhe municioneve për Ukrainën./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!