Pesë vende aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë paralajmëruar se Rusia mund të nisë sulme kibernetike kundër rivalëve që mbështesin Ukrainën, sipas The Guardian.
Aleanca e inteligjencës “Five Eyes” – SHBA, Britani, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re thanë se Moska gjithashtu mund të përfshijë grupet ekzistuese të krimit kibernetik në sulmet ndaj qeverive, institucioneve dhe bizneseve, në një deklaratë të lëshuar të mërkurën.
“Inteligjenca tregon se qeveria ruse po eksploron opsione për sulme të mundshme kibernetike,” thanë ata.
Pushtimi rus i Ukrainës mund t’i ekspozojë organizatat brenda dhe jashtë rajonit ndaj rritjes së aktivitetit keqdashës kibernetik. Ky aktivitet mund të ndodhë si përgjigje ndaj kostove të paprecedentë ekonomike të imponuara ndaj Rusisë, si dhe mbështetjes materiale të ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e SHBA-së.
Përveç kësaj, “disa grupe të krimit kibernetik së fundmi kanë premtuar publikisht mbështetje për qeverinë ruse”.
“Disa grupe kanë kërcënuar gjithashtu se do të kryejnë operacione kibernetike kundër vendeve dhe organizatave që ofrojnë mbështetje materiale për Ukrainën.
Rusia ka aftësi të rëndësishme kibernetike dhe një histori të gjatë të sulmeve dhe aktiviteti keqdashës kibernetik i sponsorizuar nga shteti është një rrezik real për organizatat në mbarë botën”, shtoi Sami Khoury, Drejtor i Qendrës Kanadeze për Sigurinë Kibernetike.
/abcnews.al