Perëndimi është i ndarë se si duhet të përfundojë lufta në Ukrainë

schedule12:31 - 26 Maj, 2022

schedule 12:31 - 26 Maj, 2022

Nga Sylvie Kauffmann “Financial Times”

Tre ditë përpara sesa Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ish-presidenti Dmitry Medvedev e siguroi Vladimir Putinin gjatë një takim të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit të transmetuar direkt në mediat televizive, se nuk kishte asgjë për t’u frikësuar nga reagimi i Perëndimit.

“Ne e dimë se çfarë do të ndodhë. Do të ketë presion dhe sanksione ndaj nesh. Por pas një fare kohe, tensioni do të bjerë. Herët a vonë ata do të lodhen dhe do të kërkojnë vetë që të rifillojmë diskutimet dhe bisedimet për të gjitha çështjet e sigurisë strategjike. Le ta pranojmë: për miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, Rusia ka një domethënie shumë më të madhe sesa Ukraina”– tha ndër të tjera ai.

Lexo edhe: Pse kaq pak “minj” të mëdhenj janë arratisur deri tani nga “anija” e Putinit?

Deri më tani, vlerësimet e Medvedev kanë qenë të gabuara. Sipas të gjitha dëshmive, Moska është befasuar nga forca dhe uniteti i Perëndimit në solidaritetin që ka treguar ndaj Ukrainës. Por ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të katërt, liderët perëndimorë po mendojnë tani mbi perspektivën e një konflikti të zgjatur në kohë.

Po ashtu, ata e kuptojnë se e vendosën forcën e tyre në shpinën e luftëtarëve trima të Ukrainës, por pa specifikuar se cili duhet të jetë “fundi i lojës”. Që në fillim të luftës, synimi ishte të ndihmohej Ukrainën të përballonte një agresion krejtësisht të pajustifikuar nga një prej ushtrive më të mëdha në botë.

Më pas ndodhi diçka e papritur: ajo ushtri e fuqishme, e udhëhequr nga komandantë të paaftë dhe e zënë përballë një rezistence të ashpër, u detyrua të tërhiqej në një pjesë më të aksesueshme të vendit.

Papritmas u bë e besueshme teza që një Ukrainë, e pajisur me armë më të rënda nga Perëndimi, mund ta fitojë këtë luftë. Dhe kjo ngre shumë pikëpyetje për mbështetësit e Ukrainës. Çfarë do të thotë “fitues”?

A po i shtyn fitorja rusët atje ku e filluan më 24 shkurt? Apo nënkupton kjo rikthimin e territoreve të pushtuara që nga viti 2014, përkatësisht të Krimesë dhe dy rajoneve në Donbas?

Në rast se udhëheqja ukrainase vendos që forcat e saj të armatosura të udhëheqin një kundërofensivë për të rimarrë të gjithë territorin e saj, a duhet Perëndimi të vazhdojë ta ndihmojë atë? Çfarë duhet të nxisë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë?

Nëse fitorja për Ukrainën do të thotë humbje për Rusinë, sa dërrmuese duhet të jetë kjo disfatë? Nëse kjo është një garë midis dy rendeve botërore, njëri i bazuar në rregulla dhe tjetri tek sferat e ndikimit, si mund të duket një zgjidhje përfundimtare e kësaj përplasje?

Përballë rikthimit brutal të çështjes ruse, Perëndimi ka nevojë për një plan, dhe duket se nuk e ka një të tillë në dispozicion. Në këtë debat janë shfaqur dy shkolla të mendimit. Sipas njërës, Rusia duhet të ndëshkohet për agresionin e saj, në mënyrë të atillë që të mos provojë më.

Në rast se do të kishim reaguar më fort kur Vladimir Putin pushtoi pjesërisht Gjeorgjinë në vitin 2008, dhe kur pushtoi dhe aneksoi Krimenë në 2014, ai do të kishte ngurruar të sulmonte Ukrainën në vitin 2022.

“Tani Rusia duhet të dobësohet me mjete ushtarake”- deklaroi më 25 prill Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, duke hapur kësisoj një perspektivë të re për synimet e

Uashingtonit, të cilat mbeten ende të paqarta.

Ndërkaq, shkolla e dytë e mendimit dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën, dhe thekson se u takon ukrainasve që të vendosin se për cilin qëllim territorial duan që të luftojnë. Por ajo ka një këndvështrim tjetër mbi të ardhmen me Rusinë.

Sipas saj, Rusia, një fuqi bërthamore, do të jetë ende vendi më i madh në kontinent, prandaj Moska do të duhet të jetë pjesë e çdo rendi të ri sigurie të ndërtuar në Evropë. Më 9 maj në Strasburg, presidenti francez Emmanuel Macron përdori një fjalor të ngarkuar me histori për të theksuar këtë argument. Rusia, tha ai, nuk duhet të “poshtërohet”.

Ky debat shumë i ndjeshëm po rihap plagët e thella të shekullit XX-të në Evropë – ato të shkaktuara nga Lufta e Parë Botërore dhe Traktati i Versajës që e pasoi, që çoi edhe në ngritjen e

Gjermanisë naziste dhe 20 vjet më vonë në Luftën e Dytë Botërore, por edhe plagët e pushtimit sovjetik të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Përtej kundërvënies midis pacifistëve kundër luftënxitësve, debati aktual vë në mënyrë të dukshme udhëheqësit e Evropës Perëndimore kundër homologëve të tyre në ish-vendet komuniste evropiane, dikur satelitë të Bashkimit Sovjetik.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, ka nxjerrë në pah një dinamikë krejtësisht të re brenda-evropiane. Gjermania, Franca dhe Italia, janë fuqitë më të shqetësuara nga situata e re, për shkak se ajo e ka shkatërruar modelin e një marrëdhënieje me Rusinë e pasluftës së ftohtë, të ndërtuar mbi tregtinë dhe energjinë.

Apo në rastin e Emmanuel Macron, mbi ëndrrën për të ndërtuar një arkitekturë të ardhshme evropiane të sigurisë. Nga ana tjetër, Polonia dhe shtetet baltike mendojnë se mosbesimi i tyre i thellë ndaj Rusisë është tërësisht i justifikuar dhe ndihen edhe më të fuqizuara nga perspektiva e anëtarësimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

Tani Polonia parashikon një partneritet të ngushtë me Ukrainën në një Evropë të ardhshme, që mund të jetë po aq e fortë dhe ndikuese në rrugën e saj sa ishte dyshja franko-gjermane në Evropën e vjetër. Sa i përket Rusisë, ajo nuk ka nevojë që të poshtërohet prej Perëndimit. Për këtë gjë, Putin ka bërë vetë një punë shumë të mirë.

Shënim:Sylvie Kauffmann, analiste në të përditshmen franceze “Le Monde”, dhe bashkëpunëtore në akademinë ”Robert” Bosch me seli në Berlin, Gjermani.

/abcnews.al/