Katër persona janë arrestuar në Fier në kuadër të operacionit policor të koduar “Bazat”.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shtetasit Nesti Golemaj, Besiko Molishtari, Naxhie Aliaj dhe Tajar Hysenaj u vunë në pranga, pasi ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
“Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, për 4 shtetas, banues në Fier, konkretisht: -N. G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”; -N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen “Kastriot”; -T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme janë edhe 8 shtetas të tjerë, të cilët u proceduan penalisht.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier.