Abuzuan me të miturën, “arrest në burg” për 7 adoleshentët

schedule14:13 - 4 Shkurt, 2019

schedule 14:13 - 4 Shkurt, 2019

Shtatë adoleshentë të akuzuar për abuzimin seksual me një minorene në Kavajë do të qëndrojnë në burg, së paku deri në fund të hetimit. Këtë vendosi Gjykata e Durrësit në seancën e sotme për rivlerësimin e masës së sigurisë. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe një tjetër i ri.

Shtatë adoleshentët të akuzuar për abuzimin seksual me një të mitur në Kavajë dolën para Gjykatës së Durrësit për rivlerësim të masës së sigurisë. Dy nga shtatë te arrestuarit pranuan të kenë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur, ndërsa pesë të tjerët e mohuan. Ata kanë thënë se në mungese të prindërve e merrnin nxënësen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të mësimit, aty ku kryenin edhe aktin.

Por, krahas refuzimit të akuzës nga pesë prej tyre, prokurorja Oltiana Çifligu kërkoi arrest me burg për të shtatë djemtë. Referuar dëshmisë së vajzës, përfaqësuesja e organit të akuzës tha se djemtë i bënin presion 14-vjeçares dhe e detyronin të shkonte në shtëpitë e tyre.

E mitura ka pranuar abuzimin nga djemtë dhe ka treguar për kërcënimet që i janë bërë nëpërmjet shantazhit të një video. Në përfundim të seancës gjyqësore, e cila zgjati plot tre orë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur “arrest në burg” për të 7 adoleshentët.

Jashtë gjykatës ndodheshin familjarët e të ndaluarve. Edhe pse më herët, gjykata kishte lajmëruar zhvillim të seancës me dyer të mbyllura për mediat, familjarët sërish janë konfrontuar me gazetarët, duke mos lejuar filmimin e tyre edhe në ambientet e jashtme.

14-vjeçarja u abuzua seksualisht nga 8 të mitur në Kavajë, njëri prej të cilëve u shpall në kërkim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!