Përcaktimi i kufijve detarë, Izraeli dhe Libani nënshkruajnë marrëveshjen “historike”

schedule12:32 - 27 Tetor, 2022

schedule 12:32 - 27 Tetor, 2022

Libani dhe Izraeli, dy vende fqinje zyrtarisht në luftë, nënshkruan sot një marrëveshje që përcakton kufijtë e tyre detarë pas muajsh negociatash nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara, një marrëveshje që garanton ndarjen e fushave të gazit natyror  në Mesdheun lindor.

Marrëveshja do të nënshkruhet pasdite në selinë e Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban në prani të ndërmjetësit amerikan Amos Hostein dhe koordinatores speciale të OKB-së në Liban Joanna Vroneka.

Qeveria izraelite ka miratuar marrëveshjen historike, me kryeministrin izraelit Yair Lapid  duke thënë se marrëveshja është një “njohje” de facto e Bejrutit.

“Kjo është një arritje politike. Nuk ndodh çdo ditë që një shtet armiqësor të njohë shtetin e Izraelit me një marrëveshje të shkruar dhe atë para bashkësisë ndërkombëtare”, tha kryeministri izraelit në fillim të mbledhjes së kabinetit për ratifikimin e marrëveshjes.

Presidenti amerikan Joe Biden  përshëndeti arritjen e marrëveshjes “historike”, duke theksuar se “u desh shumë guxim” që palët të angazhoheshin dhe ta realizonin atë.

Marrëveshja, e cila do t’u lejojë të dy vendeve të shfrytëzojnë depozitat e gazit natyror në Mesdheun lindor, u realizua falë ndërmjetësimit të SHBA-së prej vitesh. Sipas marrëveshjes, fusha e Karishit është tërësisht brenda ujërave izraelite.

Libani nga ana e tij do të ketë të drejta të plota të shfrytëzimit të fushës Cana, e cila ndodhet në verilindje dhe një pjesë e së cilës ndodhet brenda ujërave territoriale të Izraelit.

Por Izraeli do të kompensohet nga kompania operative e Cana “për të drejtat e tij për depozitat e mundshme”, sipas marrëveshjes.

“Qëllimi i marrëveshjes është të eleminojëmundësinë e një konflikti detar midis Izraelit dhe Libanit”, tha ish-negociatori amerikan Frederick Hoff.

/abcnews.al