Gjykata Kushtetuese ka shuar shpresat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha që përmes saj të shtynte në kohë heqjen e imunitetit dhe vendimin e pritshëm të arrestimit të tij. Por këtë të mërkurë gjyqtarët kushtetues rrëzuan kërkesën për të pezulluar masat shtrënguese, kërkesë kjo e dorëzuar me firmat e 30 deputetëve.
Në emisionin “Real Story” në ABC, përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso theksoi se tashmë opozita nuk ka më asnjë instrument dhe se me vendimin e sot Gjykata Kushtetuese i mbylli derën opozitës.
“Ka krijuar një precedent të ri të ndryshëm nga 20-30 vitet e fundit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese institucionalizojnë një lloj tjetër autoriteti kushtetues që ka të drejtë të pakushtëzuar dhe i mbyllet dera opozitës. Opozita dy instrumente kishte dhe tani nuk ka asnjë. Gjykata Kushtetuese e mbylli sot derën për opozitën. Nga sot e tutje nëse vendoset ky standard, opozitës apo deputetëve i mbyllet dera. Për Komisionet Hetimore e bëri zero shansin”, tha ndër të tjera Ivi Kaso.
/abcnews.al/