Përballja e Perëndimit me Rusinë për të ardhmen demokratike të Gjeorgjisë

schedule16:15 - 18 Qershor, 2024

schedule 16:15 - 18 Qershor, 2024

Bashkimi Evropian i dha statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë vitin e kaluar, por analistët thonë se nën drejtimin e oligarkut më të pasur në vend, qeveria është orientuar drejt Rusisë pas sulmit në Ukrainë në vitin 2022. Siç njofton nga Tbilisi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kritikët paralajmërojnë se e ardhmja demokratike e Gjeorgjisë do të vendoset në zgjedhjet në tetor.

Gjeorgjianët e quajnë “kështjella prej qelqi”. Një rezidencë me vlerë 50 milionë dollarë në lartësitë mbi Tbilisin. Aty ka pistë për ulje helikopterësh dhe madje edhe një akuarium me peshkaqenë. Këtu banon miliarderi Bidzina Ivanishvili, oligarku më i pasur i Gjeorgjisë dhe themeluesi i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane.

“Ivanishvili është sundimtari i vërtetë i këtij vendi. Ai zotëron një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të Gjeorgjisë dhe e krijoi pasurinë e tij në Rusi në fund të viteve ’90-të. Ai vazhdon të ketë interesa në Rusi nëpërmjet kompanive në parajsa fiskale – jo vetëm ai, por edhe familjarët e tij. A është e mundur, apo realiste të presim nga një individ i tillë se do të bëjë gjithçka që Gjeorgjia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s? Nuk mendoj kështu”, thotë Eka Cigauri, nga organizata kundër korrupsionit Transparency International, dega në Gjeorgji.

Kjo betejë për të ardhmen e Gjeorgjisë, nëse do të jetë pjesë e Perëndimit apo e orbitës gjeopolitike të Rusisë, po zhvillohet në rrugët e Tbilisit.

Një ligj i njohur si ligji për “agjentët e huaj”, i ngjashëm me atë të Rusisë, ka rigjallëruar opozitën përpara zgjedhjeve të tetorit.

Protestuesit kundër qeverisë tregojnë solidaritet me Ukrainën që po lufton ndaj agresionit të Rusisë.

Protestat e kanë detyruar oligarkun Ivanishvili t’i bëjë më të qarta qëndrimet e veta. Gjatë një tubimi pro-qeverisë në prill, ai tha se “një forcë perëndimore globale pro-luftës” po ndërhynte në Gjeorgji.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë e shtyu që të zgjidhte më qartë se cilën palë mbështet. Ai nuk donte ta bënte, por u orientua drejt Rusisë, megjithëse partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ përpiqet ta fshehë, të mos e thotë këtë hapur. Ivanishvili mori vendimin strategjik se Rusia po e fiton luftën; pra duhet të qëndronim me fituesin e ardhshëm, siç e shikon ai”, thotë analisti politik Ghia Nodia.

Kritikët thonë se partia Ëndrra Gjeorgjiane po shfrytëzon frikën e popullsisë.

“Linja kryesore propagandistike tani është se ‘nëse nuk jemi ne në pushtet, lufta me Rusinë është e pashmangshme’. Po përpiqen ta paraqesin Perëndimin – në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian – si një lloj armiku të interesave tradicionale të Gjeorgjisë dhe vlerave të familjes”, thotë Aka Zarkua, nga organizata “Qendra për Monitorimin e Qeverisjes”.

Qeveria i mohon këto akuza.

“Objektivi kryesor i qeverisë gjeorgjiane tani është të ruajë paqen”, thotë Fridon Injia, deputet pro-qeverisë, Partia e Socialistëve Evropianë.

Opozita thotë se Perëndimi duhet t’i kishte kuptuar me më shumë zgjuarsi motivet e vërteta të partisë Ëndrra Gjeorgjiane.

“Është mungesa e përqëndrimit, vëmendjes dhe në përgjithësi e të kuptuarit se ajo çfarë po ndodh në Gjeorgji është pjesë e përballjes më të gjerë me Rusinë”, thotë Giga Bokeria, kryetar i partisë Gjeorgjia Evropiane.

Analistët thonë se ligji për agjentët e huaj ka politizuar brezin e ri, që kërkon me vendosmëri ndryshimin e qeverisjes në zgjedhjet në tetor.

Të tjerë paralajmërojnë se zoti Ivanishvili është një lojtar i vjetër në politikë që do të luftojë për të mbajtur kontrollin. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!