Përballja Brazil-Zvicër/ Tite: Nejmar jo në formë, Petkoviç: Duam 3 pikët

schedule15:25 - 17 Qershor, 2018

schedule 15:25 - 17 Qershor, 2018

Në orën 21:00 luhet takimi mes kombëtares së Brazilit dhe Zvicrës. Trajneri i Brazilit thotë se do të luajë futboll të bukur edhe pse ylli I ekipit Nejmar nuk është në formën e plotë. Kurse Zvicra dëshiron 3 pikët dhe jo futbollin e bukur.

Sonte në orën 21:00 do të luhet përballja më kryesore e ditës e vlefshme për Grupin E të kampionatit botëror të futbollit, Rusi 2018. Brazili i magjishëm me Nejmar, Kutinjo dhe shumë lojtarë të tjerë që vallëzojnë me topin, do të përballen në stadiumin “Rostov Arena” me Zviceranët e fshehtë por të përpiktë. Përpara ndeshjes, trajnerët e dy kombëtareve kanë treguar mënyrën e tyre të lojës.

Sigurisht nga kampi I “sambës” pritet spektakël. Adenor Leonardo Bacchi, i njohur dhe si Tite premton se do të luajë për fitore edhe pse pranon formën jo të shkëlqyer të yllit Nejmar.

 “Nejmar nuk është në 100% të formës së tij, por është shumë mirë fizikisht. Niveli që ka treguar me vrapimet e shpejta ishin shumë mbresëlënëse. Megjithatë ka ende vend për përmirësim”.

Nga ana tjetër, Vladimir Petkoviç thotë se ekipi i tij mund t’i bëjë ballë shumë mirë Brazilit.

 “Ne nuk jemi këtu për të bërë një ndeshje të bukur por për të fituar. Ne do të përpiqemi të tregohemi sa më të organizuar. Ju duhet të provokoni një ekip si Brazili që të bëjë gabime në mënyrë që të krijosh mundësi”.

Loja e dy kombëtarëve është tashmë më e qartë se kurrë. Megjithatë fjalën e fundit e ka fusha e lojës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!