Jo vetëm që kemi tejkaluar veten. Kombëtarja e Shqipërisë këtë herë arriti në tre gola në një kampionat europian, duke lënë pas atë që bëmë në 2016 në Francë. Nëse në atë kohë ia dolëm vetëm një herë, pikërisht në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë, në Gjermani këtë verë u trefishuam.
Nedim Bajrami realizoi ndaj Italisë në humbjen 1-2 në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, dhe Qazim Laçi e Klaus Gjasula ia dolën kundër Kroacisë në ndeshjen e dytë në grup, barazuar 2-2 në Hamburg. Për fat të keq, nuk patëm sukses ndaj Spanjës, edhe pse kjo luajti me linjat e dyta.
Kombëtarja e Sylvinho jo vetëm që është dalluar më shumë në këtë element, sesa kuqezinjtë e 8 viteve më parë, por edhe mund të mburren se kanë qenë të suksesshëm në krahasim me të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në Euro 2024.
Vetëm 4 ekipe kanë shënuar më shumë se ne, edhe pse dy nga grupet nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e treta. Gjermania ka realizuar 8, Zvicra 5, Spanja 5 dhe Portugalia po 5. Jo vetëm kaq, por në Grupin B na ka lënë pas vetëm Spanja, pasi Italia e Kroacia kanë po aq rrjeta sa ne, tre, ashtu si edhe Rumania, Turqia e Austria. /i.m /abcnews.al