Për herë të parë në historinë moderne, popullsia globale pritet të pësojë rënie brenda 45 viteve të ardhshme, duke sjellë një “revolucion në historinë e qytetërimit njerëzor” dhe ndryshime të thella në mënyrën se si njerëzit e jetojnë jetën, shkruan iflscience
Popullsia në botë aktualisht është rreth 7.8 miliardë njerëz. Ky numër parashikohet të rritet gjatë dekadave të ardhshme dhe të arrijë kulmin në 2064 në rreth 9.7 miliardë njerëz, p֝ërpara se të ulet në 8.8 miliardë deri në vitin 2100, sipas një studimi të ri të botuar në The Lancet.
“Hera e fundit që popullsia globale nuk pësoi rritje ishte në mesin e shekullit XIV, për shkak të Murtajës së Zezë. Nëse parashikimi ynë është i saktë, do të jetë hera e parë që rënia e popullsisë nxitet nga rënia e numrit të lindjeve për shkak të pandemisë ose urisë“, tha Stein Emil Vollset, autori i studimit dhe Profesori i Shëndetit Global në Institutin e Metrikës së Shëndetit dhe Vlerësimit (IHME).
23 vende mund të kenë rënie në numrin e popullsisë deri në 50 përqind, përfshirë Japoninë, Tajlandën, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Korenë e Jugut dhe vende të tjera që karakterizohen nga një shkallë e ulët e lindjeve dhe popullsisë së plakur. Edhe në Kinë, një vend me numër të lartë të popullsisë, numri pritet të ulet nga 1.4 miliardë njerëz në 2017 në 732 milion në 2100, raporton abcnews.al
Ndërsa bota po pëson rënie të popullsisë, disa vende parashikohet të shohin një rritje të numrit të popullsisë. Këtu përfshihet Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe më shumë– Afrika Sub-Sahariane, ku numri i popullsisë është rritur nga 1.03 miliardë në 2017 në 3.07 miliardë në 2100.
Studimi i ri nga studiuesit e IHME në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit vuri re sesi vdekshmëria, lindja dhe migracioni do të ndikojnë në popullsinë globale gjatë 80 viteve të ardhshme.
Ai gjithashtu llogariti sesi lufta, katastrofat natyrore dhe ndryshimi i klimës mund të ndikojnë në numrin e vdekjeve në vende të ndryshme të botës./abcnews.al