Për çfarë shqetësohen njerëzit e pasur?

schedule08:40 - 20 Shkurt, 2020

schedule 08:40 - 20 Shkurt, 2020

Njerëzit e pasur s’e vrasin mendjen për të njëjtat gjëra si njerëzit e rëndomtë. Qiraja s’është problem kur zotëron një sërë pronash. Ushqimi s’është problem kur porosit çfarë të të hahet. Transporti s’është problem kur mund të përballosh shërbim taksi shkruan Vice.

Sidoqoftë, njerëzit e pasur mbeten njerëz dhe ndonjëherë, natën vonë, i pushtojnë shqetësimet. Po për çfarë shqetësohen?

1.Jonah, 27 vjeç, inxhinier software

Nuk shqetësohem shpesh, përveç rasteve kur kam familjarët sëmurë. Për herë të fundit, u stresova shumë kur u sëmur macja ime, por fatmirësisht pagova një veteriner të vinte në shtëpi dhe ta kuronte. Gjithçka është mirë tani.

Nuk mendoj se të qenit i pasur të zgjidh vetëm punë me qiranë apo faturat. Të zgjidh dhe probleme të tilla, që janë më të menaxhueshme kur i përballon financiarisht.

2.Richard, 56 vjeç, qiradhënës

Shqetësohem për shëndetin ose nëse e mbylla derën pasi dola nga shtëpia. Shpeshherë, vras mendjen nëse njerëzit më kanë qejf. Mos tregohem i pandjeshëm kur postoj foto nga pushimet apo foto të blerjeve të fundit? Shqetësohem për botën, gjendjen klimatike.

3.Natalia, 23 vjeçe, trashëgimtare e pasurisë së familjes

Shqetësohem për perceptimin publik, nëse njerëzit më kanë qejf apo jo. Sado të mos më pëlqejë të flas për pasurinë, detyrohem ta përmend kur bie fjala te pushimet apo hobit. Qoftë prej xhelozisë apo pasigurisë, njerëzit më shohin shtrembër se jam e pasur.

4.Alan, 68 vjeç, bankier i dalë në pension

Kam dalë në pension, kam kohë të lirë dhe kam fonde pa limit. Atëherë pse s’jam i lumtur akoma? Çfarë bën kur ke zgjidhur çdo problem të mundshëm? Njerëzit si puna ime i kthehen karrierës sepse s’kanë me çfarë të merren. Kur nuk punon, duhet ta mbushësh vetë boshllëkun, duhet ta marrësh vetë në dorë mirëqenien tënde mendore.

5.Walter, 27 vjeç, trashëgimtar i një zinxhiri ndërkombëtar restorantesh

Në shkollë, isha goxha më i pasur se studentët e tjerë, edhe pse ishte shkollë private dhe të gjithë ishin të pasur. Shokët i vinin re makinat, rrobat dhe më gjykonin. Prandaj e kam vrarë mendjen gjithmonë nëse shoqëria më ka qejf për njeriun që jam apo ngaqë jam i pasur. Ndonjëherë mendohem në e dashura prej vitesh më do mua apo stilin tonë të jetesës. S’jam kurrë i sigurt për njerëzit që më rrethojnë dhe ky mendim më konsumon goxha orë në ditë.

6.Giles, 48 vjeç, investitor

Shqetësohem për vajzat e mia dhe të ardhmet e tyre. Nuk kaloj shumë kohë me to ngaqë duhet të punoj. Vras mendjen në vajzat më përçmojnë. Vras mendjen në gruaja më tradhton. Pasuria ta lehtëson vërtet jetën, por të sjell probleme të tjera./abcnew.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!