Për 3 muaj 67 policë në hetim, 10 të arrestuar

schedule16:03 - 6 Prill, 2022

schedule 16:03 - 6 Prill, 2022

Nga Xhensila Kodra

Ankesat e depozituara pranë Agjensisë të Mbikqyrjes Policore, në 3 muajt e parë të këtij viti është në rritje. Numrin më të lartë të ankesave e kanë efektivët e rendit dhe ata të rrugores.

Gjatë këtyre 3 muajve, Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka çuar në prokurori për t’u hetuar 67 efektivë të sektorëve të ndryshëm, si dhe 3 punonjës së Gardës së Republikës. Kryesisht, ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por dhe për vepra të tjera penale, si mosveprim, apo veprime arbitrare.

Gjatë fazës së hetimeve, 10 efektivë janë arrestuar në flagrancë. Për disa të tjerë, Gjykata ka caktuar arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra.

Kryesisht, referimet pranë Prokurorisë janë kryer nga AMB, edhe mbi bazën e ankesave të bëra nga qytetarët.

Gjatë 3 muajve, kjo Agjensi ka trajtuar në total 494 ankesa. Nga të cilat 221 ankesa janë për efektivët e Rendit, 143 për punonjës të Policisë Rrugore, 105 ankesa për sektorin e Hetimit të Krimit dhe më pak për sektorët e tjerë.

Kryesisht, numër të lartë ankesash, qytetarët kanë depozituar gjatë protestës së zhvilluar para selisë së Partisë Demokratike, si dhe në protestat e qytetarëve kundër rritjes së çmimit të karburantit e të ushqimeve./abcnews.al