Miratohet marrëveshja për njohjen e pensioneve midis Shqipërisë dhe Italisë.
Senati i Parlamentit Italian me 129 vota pro ratifikoi finalizimin e marrëveshjes midis dy vendeve në fushën e Sigurimeve Shoqërore.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilët do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributeve, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Shqipëria dhe Italia do të krijojnë një fond specifik që do t’i japë fund problemit për kontributet shoqërore për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, por edhe për italianët që jetojnë në vendin tonë.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.
Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Ndërsa po punon për një marrëveshjeje edhe me Greqinë.
/abcnews.al/