Peniani kërcënon: Kundërpërgjigje me forcë ndaj çdo sulmi

schedule09:58 - 7 Nëntor, 2017

schedule 09:58 - 7 Nëntor, 2017

Koreja e Veriut paralajmëron se do të kundërpërgjigjet me forcë tepër të madhe, nëse amerikanët dhe aleatët në rajon e sulmojnë. Një paralajmërim që erdhi pas deklaratave të presidentit amerikan nga Japonia të hënën. Donald Tramp u shpreh se ka ardhur koha që programi bërthamor koreanoverior të ndalet me forcë dhe se durimi strategjik kishte marrë fund.

Organi i propagandës koreanoveriore Rodong Sinmun shkruan se aktet e pamatura të Donald Trampit janë të paparashikueshme. Por Koreja e Veriut është gati t’i kundërpërgjigjet në çdo moment pa mëshirë  kërcënimeve, duke mobilizuar të gjitha forcat.

Ekspertët paralajmërojnë se regjimi i Kim Jong-unit mund të kryejë një test të fuqishëm bërthamor gjatë orëve në vijim. Një test që përkon me vizitën e Donald Trampit në Korenë e Jugut, aty ku mbërriti të martën. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se prova ishte një demonstrim force nga Peniani, e cila mund ta detyrojë presidentin të ndërpresë turin e vizitave nëpër Azi, për arsye sigurie.

Presidenti Tramp mbërriti në Korenë e Jugut të martën. Takimin e parë e zhvilloi me trupat amerikane të stacionuara në një bazë pranë kufirit me Korenë e Veriut, çka përmban jo pak simbolikë në mes të tensioneve në gadishullin korean.

Edhe në Korenë e Jugut kryetemë ësthë kërcënimi bërthamor që vjen nga Peniani. Përpara largimit nga Japonia, Tramp i bëri thirrje kongresit të miratojë një fond shtesë prej 5.9 miliardë dollarësh për ushtrinë, në buxhetin për vitin e ardhshëm, që do të shpenzohen për kërcënimin koreano-verior. Të hënën Tramp tha se do t’u dërgojë aleatëve në rajon një sasi të madhe armatimesh të gjeneratës së fundit, për tu mbrojtur nga sulmet e mundshme nga Peniani.