Pence telefonon Zaev dhe Tsipras

schedule21:18 - 6 Korrik, 2018

schedule 21:18 - 6 Korrik, 2018

Zv/presidenti amerikan u ka përcjellë kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë mesazhin se zbatimi i marrëveshjes së emrit është jetik për stabilitetin e Ballkanit. Mike Pence ka deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të ofrojë asistencë në këtë proces.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka uruar personalisht kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras për marrëveshjen e arritur mbi çështjen e emrit. Pence ka zhvilluar biseda telefonike të veçanta me krerët e qeverive, gjatë të cilave e ka vënë theksin tek rëndësia që ka marrëveshja për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit. Gjithashtu, numri dy i Shtëpisë së Bardhë ka nënvizuar se Uashingtoni është i gatshëm të ndihmojë dy vendet në të gjitha proceset që do të vijnë në të ardhmen.

“Shtetet e Bashkuara janë të interesuara të përfshihen në të gjitha proceset progresive që do të vijojnë, në Maqedoni për zbatimin e reformave dhe në Greqi për zbatimin e çështjes së emrit”, citohet të ketë thënë Pence.

Hapi i radhës i qeverisë maqedonase sa i takon çështjes së emrit do të jetë organizimi i referendumit popullor për pranimin e termit të ri që e identifikon vendin si Maqedonia e Veriut.

Votimi është parashikuar në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, por opozita ka deklaruar se më parë duhet të miratohen dy ligje në lidhje me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa të cilët sipas saj nuk mund të mbahet procesi. Ndërsa kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se shpreson që rezultati i referendumit të kuptohet si një detyrim nga të gjithë faktorët politikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!